VMRO e pranon se Nënë Tereza dhe Skënderbeu janë shqiptarë
Partia nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE, ka pranuar sot se, Skënderbeu dhe Nënë Tereza janë shqiptarë, ndërsa ka kërkuar nga kryetari i komunës Qendër të Shkupit, Andrej Zhernovski, që t’i vendosë përmendoret e tri figurave historike shqiptare – Josif Bagerit, Nexhat Agollit dhe Pjetër Bogdanit, njofton Expressi.

Andrej, lëri më manipulimet dhe truqet tua. Bëhu të paktën një herë i sinqertë. Vendosi tri përmendoret, VMRO-DPMNE nuk do të të sulmojë, sepse s’ka arsye për këtë. Ne i respektojmë ato figura, siç e respektojmë edhe Skënderbeun dhe Nënën Terezë p.sh., si dhe shumë të tjerë të cilët me asgjë s’u kanë bërë dëme maqedonasve”, ka porositur Zhernovskin me një komunikatë partia e Nikolla Gruevskit.

Me këtë, kjo parti në mënyrë paksa të tërthortë, por megjithatë mjaft qartë, ka thënë se pranon se heroi ynë kombëtar dhe humanistja me famë botërore janë shqiptarë. Kjo edhe për njohësit sipërfaqësorë të rrethanave politike në Maqedoni do të tingëllojë shumë çuditshëm, ngase nga kjo parti vazhdimisht janë plasuar teza se Nëna Terezë është “vllahe nga Maqedonia”, ndërsa para jo më shumë se 10 ditëve një funksionar i kësaj partie doli me tezën se Skënderbeu është maqedonas.

Kuptohet, e tërë kjo është bërë për shkak se nacionalistët maqedonas, të cilët identifikohen me këtë parti, nuk munden të pranojnë faktin se ka figura të tilla si Skënderbeu dhe Nënë Tereza që mund të jenë shqiptarë.

Andrej Zhernovski dhe të gjithë maqedonasit duhet ta dinë se tri përmendoret e veprimtarëve shqiptarë janë përmendore të figurave historike që s’u kanë bërë asgjë të keqe maqedonasve, përkundrazi, disa prej tyre, si Nexhat Agolli për shembull, kanë luftuar përkrah maqedonasve për lirinë dhe shtetësinë e Maqedonisë, ka ushtruar funksione të larta shtetërore në Maqedoninë e pasluftës dhe, fatkeqësisht, po kjo figurë ka përfunduar me fatin shumë të ngjashëm si shumë patriotë maqedonas të eliminuar regjimi komunist në Maqedoni”, thuhet mes tjerash në komunikatën e VMRO-DPMNE-së. /albeu.com/
Shtuar më 29/03/2016, ora 14:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori