DW zbardh prapaskenat e zgjatjes së Vettingut: PD dha votë me kusht

Partia Demokratike (PD), e kryesuar nga Lulzim Basha, vendosi në mbledhjen e grupit të saj parlamentar, në momentin e fundit para fillimit të seancës plenare, të japë votën vendimtare të deputetëve të saj pro zgjatjes së vettingut.

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese kërkon votë të cilësuar, pra që 94 deputetë nga 140 që ka gjithsej parlamenti në Tiranë, të votojnë pro, gjë që nuk e arrin dot e vetme maxhoranca socialiste me 74 deputetët e saj. Palët ranë dakord që procesi i vettingut, i cili përfundon në qershor të këtij viti, te shtyhet deri në fund të vitit 2024.

Vetëm rreth 30 përqind

Nga fillimi i vitit 2017, kur nisi vetingu dhe deri tani në sitën e tij kanë kaluar vetëm rreth 30 përqind e gjykatësve dhe prokurorëve të Shqipërisë.

„Pa një drejtësi të fortë, të pastër dhe të pavarur, Shqipëria nuk do të ketë progres në ekonomi dhe as në rrugën drejt integrimit në BE,“ tha Basha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD.

Ai theksoi se „PD është kontribuesja më e madhe në procesin e integrimit europian dhe kurrë nuk do të ndërmarrë ndonjë veprim kundër apo që dëmton këtë proces.“

Presion indirekt

Në vendimin e PD, kritikuese e ashpër e vettingut, duket se ka ndikuar edhe një deklaratë të përbashkët e SHBA dhe BE, të martën (08.02) ku u bëhej thirrje gjithë deputetëve të mbështesin zgjatjen e mandatit kushtetues të vettingut.

“Vota për zgjatjen e vettingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE,“ theksonte deklarata.

Votim pro me këmbim

Në këmbim të votës pro të PD maxhoranca socialiste ka rënë dakord të plotësojë dy kushte të opozitës: kryerjen e reformës territoriale dhe të asaj zgjedhore dhe të ngrejë menjëherë pas votimit në parlament pro ndryshimeve kushtetuese për zgjatjen e mandatit kushtetues të vettingut, dy komisione parlamentare që të angazhohen me dy refomat e lart përmendura.

Votat kundër: proces selektiv dhe korruptiv

Ish-kryeministri dhe ish-drejtuesi i PD, Sali Berisha, i përjashtuar nga grupi parlamentar i PD pas shpalljes non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit, si edhe deputetët demokratë që bëjnë pjesë në grupimin e mbështetësve të tij, të njohur si „Komisioni i Rithemelimit të PD,“ votuan kundër shtyrjes së mandatit kushtetues të vettingut.

Berisha tha në Parlament që procesi i deritanishëm i vettingut ka qënë selektiv dhe „është përdorur për spastrime krahinore, klasore dhe fetare“

“Kam shprehur të gjitha qëndrimet e mia ndaj këtij procesi gjigand korruptiv që shoqërohet në ꞔdo hap me shkelje të rënda ligjore, një proces që nuk e beson shoqëria shqiptare.“

Studimi: Process jo i rregullt ligjor dhe zvarritje

Procesi i vettingut është shoqëruar me objeksione jo vetëm nga opozita. Në një studim të juristëve të rinj, që kanë vënë në lupë këtë proces, ka gjetje që flasin për një process jo të rregullt ligjor lidhur me kriterin e pasurisë në vlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve.

Studimi flet “për shuma të majme parash, dhënë gjyqtarëve dhe prokurorëve për mbyllje çështjesh, për mungesë fleksibiliteti dhe arsyetimi objektiv, kur është fjala për të dhëna që nuk është e mundur të sigurohen për të provuar ligjshmërinë e pasurive, për përdorimin e metodave jo unike në vlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve, anashkalimin e kriterit të pastërtisë morale dhe për zvarritje të procesit.”/DW


Shtuar 11.02.2022 10:27