VMRO-DPMNE reagon ndaj Ambasadës së SHBA-ve dhe BE-së për formimin e qeverisë
VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj qëndrimeve të Ambasadës së SHBA-ve në Shkup dhe ndaj Komisionit Evropian për deklaratat e tyre pas skadimit të afatit për formim të Qeverisë.

"VMRO-DPMNE si parti nën udhëheqjen e së cilës Maqedonia nënshkroi Deklaratë për partneritet strategjik me SHBA-në në vitin 2008 mbetet në pozicionet se të dy vendet duhet ta vazhdojnë bashkëpunimin në frymën e asaj Deklarate", theksohet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së, për deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Shkup.

VMRO-DPMNE-ja ka kërkuar nga Komisioni Evropian që të sqarojë se në bazë të cilës pjesë të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë BE-ja pret që presidenti i vendit Gjorge Ivanov të përcaktojë lider për formimin siç theksojnë, "qeverisë sa më të gjerë".

"Maqedonia nuk ka kohë për pritje, por zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç duhet të sqarojë në bazë të cilës pjesë të Kushtetutës së RM-së BE-ja pret që presidenti Ivanov të përcaktojë lider për formimin e 'një qeverie sa më të gjerë', siç kumtoi dje BE-ja përmes Kocijançiç.

Që të mos ketë keqkuptime dhe dilema tek opinioni në Maqedoni, është e dëshirueshme që përgjigja e BE-së, gjithashtu të jetë publike", thuhet në kutmesën e partisë, për deklaratën e KE-së.

"Megjithatë, vendet rrallë formojnë qeveri me shumicë prej dy të tretash. Madje edhe në situatë të tillë disa prej tyre ndonjëherë përmes bisedimeve dhe debatit me opozitën në Parlament arrijnë bashkarisht të votojnë ligje për pranimin e të cilave duhet shumicë më e madhe në parlament se sa që atë e ka koalicioni qeverisës.

Raste të tilla pati shumë herë edhe në Maqedoni, kur garnitura në pushtet arrinte që për disa ligje reformuese të sigurojë mbështetje nga opozita në Parlament, që flet se edhe pa shumicë prej dy të tretave mund të bëhen reforma.

Nga këtu, do të dëshironim të pyesim nëse BE-ja ka praktikë të veten gjatë çdo formimi të qeverisë në vendet anëtare të BE-së dhe kandidateve për anëtarësim, publikisht të bëjë thirrje për krijim të 'një qeverie sa më të gjerë', apo ky është përjashtim vetëm për Maqedoninë", thuhet më tej në deklaratën e VMRO-DPMNE-së. /albeu.com/
Shtuar më 01/02/2017, ora 10:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori