Veseli: Kurti miratoi rezolutë për të shkuar në dialog me Vuçiç

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar për mënyrën e shfrytëzimit të gjendjes pandemike nga kryeministri Albin Kurti, për të miratuar pas mesnate në Kuvend, rezolutë për dialogun, nëpërmjet të cilës ia mundëson vet Kurtit të ulet në tryezë me Vuçiçin.

Veseli, ka shkruar në faqen e tij në Facebook, se ky veprim i Albin Kurtit në mesnatë, dëshmon se kjo Qeveri dhe ky kryeministër janë rrezik nacional.

“Pikërisht në kohën e izolimit e sanksioneve të SHBA-së mbi Shtetin e Kosovës, nuk u morën me problemin fundamental para vetes si sfidë – taksën, por menduan vetëm për vetveten, se si të takohen me përfaqësuesit serbë në Dialog, dhe për këtë nxorën Rezolutë pas mesnatës”, ka shkruar Veseli.

Postimi i plotë i Veselit:

“Seanca e jashtëzakonshme për buxhetin, e ftuar nga Kryeministri, doli se nuk paska pasur për qëllim miratimin e buxhetit për kërkesat e qytetarëve, por uljen e Albin Kurtit në tryezën e Dialogut me Serbinë.

Jo negociata?!

Thirrën seancë të jashtëzakonshme për buxhet, duke abuzuar me shqetësimin e emergjencës qytetare për pandeminë e coronavirusit – tashmë të shpërndarë në disa cepa të vendit tonë, edhe për shkak të papërgjegjësisë së kësaj Qeverie në parandalimin e përhapjes së tij.

Përjashtuan me dredhi opozitën nga vendimmarrja e një ligji kaq me rëndësi për qytetarët, si ky për buxhetin.

Tradhtuan qytetarët me premtime, duke mos e përfshirë në buxhet, siç ishte paraparë, rritjen e pagave të sektorit shëndetësor dhe tërë sektorit publik.

Dhe, pikërisht në kohën e izolimit e sanksioneve të SHBA-së mbi Shtetin e Kosovës, nuk u morën me problemin fundamental para vetes si sfidë – taksën, por menduan vetëm për vetveten, se si të takohen me përfaqësuesit serbë në Dialog, dhe për këtë nxorën Rezolutë pas mesnatës.

Kjo flet shumë për rrezikun që i sjell vendit papërgjegjësia dhe arroganca e kësaj Qeverie dhe e këtij Kryeministri, që për asgjë nuk kanë emocion, që askënd nuk e respektojnë dhe asnjë premtim e parim nuk e mbajnë.

Kjo Qeveri dhe ky Kryeministër janë rrezik nacional.

Por, qytetarët gjithsesi do t’u kundërvihen mashtrimeve të tyre.

Kosova, mbi të gjitha, u takon njerëzve të saj që e duan, punojnë për të dhe nuk lejojnë të dëmtohet.

PDK do të jetë aty ku është interesi dhe nevoja e kombit”, ka shkruar Veseli.

Me 57 vota për dhe 5 abstenime, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë të propozuar nga dy partitë e koalicionit, lidhur me dialogun me Serbinë, ku thuhet se Qeveria e Kosovës është institucioni që ka mandatin që të udhëheqë bisedimet politike me Beogradin.


Shtuar 15.03.2020 10:15