VMRO-DPMNE: LSDM, gjithmonë në anën e dhunës
Partia në pushtet VMRO-DPMNE, ka akuzuar Lidhjen Social-Demokrate të Maqedonisë se me heshtjen e saj në rastin e aksionit të MPB-së “Detonator”, ka dëshmuar se “gjithnjë rreshtohet në anën e shkelësve dhe dhunuesve të ligjit”.
“Në këto çaste kur qytetarët e Koçanit, Vinicës, Kriva Pallankës dhe të tërë Maqedonisë Lindore dhe qytetarët gjithandej përshëndesin këtë aksion, LSDM nuk arriti të tejkalojë zilinë e saj dhe nuk e tha as edhe një fjalë pozitivë për këtë aksion”, ka thënë deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, raporton Zhurnal.

Cili do të ishte opsioni tjetër, ka pyetur Dimovski LSDM-në, dhe “çfarë do të propozonte LSDM që të ndërmarrim në këtë rast”?

“LSDM nuk i pranon institucionet e sistemit kur ndonjë nga funksionarët e LSDM-së është i arrestuar apo i shoqëruar në polici, ndërsa përqesh dhe akuzon për qërim hesapesh brendapatiake kur ndonjë nga VMRO-DPMNE është i arrestuar ose i dënuar”, ka thënë Dimovski.

“Në fakt, kjo nuk është fare e rëndësishme. E rëndësishme është se Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë të luftojë suksesshëm krimin dhe korrupsionin dhe të gjithë ata që do të vendosin të shkelin ligjin pavarësisht nëse janë anëtarë të VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së, PDSH-së apo nëse nuk janë fare anëtarë të ndonjë partie politike”, ka shtuar ky zyrtar i lartë i VMRO-DPMNE-së. /albeu.com/
Shtuar më 03/04/2012, ora 17:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori