Vuçiç: Kam mbështetjen e serbëve nga Kosova për një zgjidhje kompromisi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se në takimin e 21 gushtit në Beograd me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, mori mbështetjen e tyre që të punojë për të gjetur një zgjidhje kompromisi.

Sipas tij, ajo që kërkuan përfaqësuesit e serbëve nga Kosova ishte që të mos përballeshin me përndjekje dhe Vuçiq tha se u ka garantuar se nuk do të lejojë një gjë të tillë.

“Nuk do të lejojmë pogromin dhe dëbim”, tha Vuçiç.

Presidenti serb tha se Serbia gjendet në një situatë shumë të vështirë dhe se “do të do të kërkojmë me dëshpërim një kompromis për 10 ditët e ardhshme. Shpresoj se do t’ia dalim”.

Ai iu referua datës 1 shtator kur Kosova ka thënë se do të rinisë zbatimin e dy vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, që rritën tensionet në veri të Kosovës në fund të korrikut dhe fillim të gushtit.

“A besojmë në këtë, kam frikë se edhe nëse do të jetë e suksesshme, na pret kurba tjetër, shumë shpejt, dhe pastaj ajo e radhës, dhe kam frikë se rubikoni është kapërcyer prej kohësh”, shtoi Vuçiç.

Gjatë një adresimi drejtuar kombit më 21 gusht në Beograd, Vuçiç tha se ishte informuar se nëse nuk arrihet zgjidhje, serbët do të largohen nga institucionet dhe se do të ketë “zhbërje të rendit të Brukselit të dakorduar me marrëveshje”.

Vuçiq po ashtu ka deklaroi se ka informacione se para përshkallëzimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës më 31 korrik, një grup çeçenësh dhe çerkezësh, të cilët janë kundërshtarë të regjimit të liderit çeçen Ramzan Kadyrov, kanë qëndruar në Kosovë.

Ai tha se detyra e tyre ishte të vëzhgonin situatën në veri të Kosovës dhe të rekrutonin ushtarë potencialë për të luftuar në Ukrainë.

Kosova do “marrëveshje me gjashtë pika”

Vuçiq tha se Kosova në rundin e fundit të dialogut në Bruksel, që përfundoi pa asnjë marrëveshje, kishte shkuar për të diskutuar për një marrëveshje të përgjithshme për normalizimin e raporteve me gjashtë pika.

Sipas tij, këto pika janë: Parimet e përgjithshme të marrëdhënieve dypalëshe: njohja reciproke dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare; Zgjidhja e problemeve nga e kaluara: zgjidhja e problemit të të pagjeturve, konstatimi dhe zgjidhja e problemit të personave të përdhunuar, të zhvendosurve, shkatërrimi i pronës private dhe publike dhe kthimi i objekteve, dëmshpërblimet e luftës që Serbia duhet t’i paguajë të gjitha. Pastaj bashkëpunim në të ardhmen; Respektim reciprok për të drejtat e serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës; Rishqyrtimi i marrëveshjeve të dakorduara më parë dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe dispozitat përfundimtare.

Pas takimeve në Bruksel, Qeveria e Kosovës kishte bërë të ditur se kishte diskutuar për dy çështje, për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes përfundimtare dhe për targat e dokumentet serbe.

“Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë”, u tha në deklaratën e Qeverisë të lëshuar mbrëmjen e 18 gushtit.

Në Beograd, Vuçiç tha se ditëve të fundit në mesin e popullatës serbe në Kosovë ka mbretëruar frika dhe tha se ata “janë të mbështetur për muri”. Ai tha se në rundin e fundit të dialogut në Bruksel, Prishtina ka refuzuar çdo propozim për targat dhe dokumentet serbe./REL/