Ndryshimet kushtetuese në RMV, si do të arrihet shumica prej 2/3-tave?

Se si do të arrihet shumica e dy të tretave për ndryshimet kushtetuese është ende e paqartë, megjithëse qeveria është optimiste se do të sigurojë 80 vota për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. LSDM thotë se tani është koha për konstruktivitet nga të gjithë deputetët për të vazhduar rrugën evropiane.

“Pres konstruktivitet nga një numër i madh i deputetëve, se do të jenë kundër shkatërrimeve dhe bllokadave të bëra nga Hristijan Mickoski dhe partneri i tij Dimitar Apasiev. Pres që në periudhën në vijim të hapen diskutime të gjera, bisedime me secilin individualisht, me synimin që vendi të vazhdojë në rrugën europiane, atë të zgjedhur nga shumica e deputetëve në Kuvend, rrugën që qytetarët ndjekin dhe është në drejtim dhe në interes të shtetit”, deklaroi Darko Kaevski, zëdhënës i LSDM-së.

Por nga opozitarja VMRO-DPMNE janë të vendosur. Grupi i tyre parlamentar nuk do të votojë dhe ndryshimet kushtetuese nuk do të ndodhin.

“Është e qartë se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese dhe këtë e definon VMRO-DPMNE. Çmimi që dëshiron të paguajë kjo Qeveri e Kovaçevskit është shumë i lartë dhe dua të theksoj edhe një herë, në këto rrethana, ndryshimet antikushtetuese, përkatësisht rrethanat që ofron qeveria Kovaçevski, nuk guxon të ndodhë një tradhti tjetër ndaj Republikës së Maqedonisë, e cila normalisht buron nga LSDM-ja”, pohoi Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në preambulë janë kushti me të cilin Maqedonia do të mund të fillojë negociatat me hapjen e kapitujve eurointegrues. Mickoski ka bërë të ditur se deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë nënshkruar deklarata te noteri se nuk do të votojnë për ndryshime kushtetuese./TV 21/