Vizita e Nimiç, presion ndaj Gruevskit dhe Samaras?
Vizita në Athinë e ndërmjetësit për kontestin e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, Metju Nimiç, nuk pritet të sjellë ndonjë risi të madhe, vlerësojnë analistët politik në vend. Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Denko Malevski, thotë se duke marrë parasysh situatat në të dy shtetet nuk ndjehet optimist për ndonjë "depërtim" konkret.

"Situata në të dy vendet janë të atilla siç janë, Greqia me problemet e saj ekonomike, me një kryeministër i cili është njëri nga iniciatorët kryesor, Samaras, me atë qëndrim të ngurtë që nga vitet '90. Edhe këtu në palën tjetër kemi sërish një situatë të re, dhe është ajo që pa marrë parasysh se çfarë propozimi të vijë, institucionet tona politike janë në kondicion të dobët, që do të thotë se sjellja e vendimeve të rëndësishme për një shtet nuk janë punë e ndonjë individi dhe vetëm e Qeverisë, ndërsa ne shohim në TV se çka ndodh këto ditë në sjelljen e vendimeve në Kongresin amerikan por edhe në Parlamentin britanik", deklaron për Zhurnal Malevski.

Ai shton se në Maqedoni nuk ka debat të tillë, prandaj çkado që të sjellë Nimici, sistemi jonë politik mund të organizojë lloj të tillë të diskutimit dhe të debatit, i cili patjetër duhet t’i paraprijë secilit vendim. Sipas analistit Malevski, kjo vizitë është më tepër presion diplomatik ndaj Qeverisë në Maqedoni, sipas të cilit, po kështu ka qenë edhe vizita e kreut të BDI-së Ali Ahmeti.

Ndërsa, analisti Ismet Ramadani mendon se vizita e ndërmjetësit Nimiç më së tepërmi bëhet për të vazhduar procesin e bisedave, por edhe mund të ketë karakter të matjes së disponimit të shtetit grek për këtë çështje.

"Nuk pritet shumë prej kësaj vizite. Kjo është më tepër vizitë për të mbajtur më tutje procesin e bisedimeve. Ndoshta propozimi i Nimicit tani mund të jetë më konkret, por kuptohet se jo rastësisht ai shkon deri në Athinë që ta sheh ose të masë pulsin e kreut shtetëror në Greqi lidhur me propozimin dhe pastaj të kalojë këtu në Maqedoni. Me siguri se pas këtij propozimi do të vendos në dispozicion edhe mekanizma tjerë të presioneve të ndryshme që do të vijnë nga SHBA dhe BE", deklaron për "Zhurnal" analisti Ramadani.

Sipas tij, karakteristikë e kësaj vizite është se asaj i paraprinë vizitat e kreut të BDI-së, si në SHBA edhe në Athinë.

Ai thotë se është shumë me rëndësi se Nimiç dje ata që janë të interesuar seriozisht të zgjidhin problemin, tashmë kanë një aleat më të fortë brenda Qeverisë, me informata të dorës së parë dhe me disponim më të madh për t’i vënë pikë kësaj pune. /albeu.com/
Shtuar më 07/09/2013, ora 12:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori