Videoja e publikuar nga gazeta italiane "La Verida", reagojnë partitë opozitare shqiptare
Partitë opozitare shqiptare Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët kanë reaguar në lidhje me videon e cila u publikua sot nga gazeta italiane “La Verida”, e që ka të bëjë me rastin “Haraçi” të cilin e hapi Prokuroria Themelore Publike.

Nga ASH dhe Lëvizja Besa kërkojnë që hetimet për këtë rast të vazhdojnë deri në fund dhe përgjegjësit kryesor të dalin para drejtësisë.

“Sa i përket video materialit të publikuar në rrjetet sociale për rastin ‘reket’ qëndrimi i Aleancës për Shqiptarët është si në vijim: -Kërkojmë që sa më shpejtë të ndërmerren të gjitha masat ligjore që të zbardhet i gjithë procesi si dhe të zgjerohet hetimi. Njëkohësisht kërkojmë që të hapen hetime për të gjithë lëndët të cilat janë në procedurë parahetimore siç është lënda ‘Pacienti’ dhe të tjerat. Rasti ‘Haraçi’ është fakt i mjaftueshëm se të gjitha ato raste janë të dështuara për shkak të ‘reketit’ kurse video materiali i cili u publikua sot e vërteton të njëjtën. Aleanca për Shqiptarët edhe një herë e përsërit qëndrimin për ‘Prokuror nga BE-ja’’ si një zgjidhje për dalje nga qorrsokaku në të cilin gjendet sistemi ynë i drejtësisë”, thonë nga ASH.

Ndërsa nga Lëvizja Besa thonë se video e sotme është alarm urgjent që Prokuroria Publike të veprojë sa më parë dhe të mos lejojë që të përfshirët në këtë rast të shfrytëzojnë mekanizma të ndryshëm për të shtrembëruar faktet në lidhje me këtë rast.

“Skandalet në Maqedoninë e Veriut nuk kanë të ndalur, dhe kjo po dëshmohet me rastin e fundit ‘’Zhvatja’’ ku dyshohet për një implikim edhe të zyrtarëve të lartë të Prokurorisë Publike Speciale. Për Lëvizjen Besa, prolongimi i hetimit për raste si “haraçi” janë dëshmi se ende në Maqedoninë e Veriut kemi sistem juridik të partizuar dhe në shërbim të krimit dhe korrupsionit. Prandaj kërkojmë urgjentisht zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe vendosjen para drejtësisë të gjithë atyre që në forme direkte apo indirekte janë të përfshirë në këtë rast i cili dëmton rëndë kredibilitetin e Prokurorisë Speciale, institucion ky i cili duhej të ishte garant i vendosjes së shtetit të së drejtës”, thonë nga Lëvizja Besa.
Shtuar më 08/08/2019, ora 17:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori