Veteranët e UÇK-së: Të zgjidhet statusi
Pëlqej
Shoqata e Veteranëve e Luftës, e dalë nga UÇK-ja, nuk pranon zgjidhje gjysmake për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Fazli Veliu nga SHVL-UÇK thotë se do të insistojë që familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe ish ushtarët e UÇK-së të mos jetojnë nga lëmosha dhe fondet vullnetare, por statusi i tyre të rregullohet me ligj, sikurse statusi i “branitellave” dhe familjeve të tyre.

“Është një qëndrim që nuk qëndron. Prandaj ne insistojmë bindshëm dhe me fakte, por njëkohësisht edhe me këmbëngulësi, që kjo çështje mbi gjitha çështjet e tjera, të zgjidhet si për palën tjetër, në mënyrë që ne të kemi bashkëjetesë të shëndoshë, në mënyrë që të kemi shtet të shëndoshë, vend të shëndoshë, e jo përsëri të jemi një pjesë e diskriminuar në krahasim me të tjerët. Çështja është e rëndë, e vështirë, dhe unë shpreh keqardhje për të gjithë ata që mendojnë se mund të zgjidhet aq lehtë. Një luftëtar i lirisë, një njeri që ka dhënë anëtarin e familjes në moshë të re, nuk mund të qëndrojë me lëmoshë, as me zgjidhje të dosidoshme”, tha për Alsat M Fazli Veliu, kryetar i SHVL UÇK.

Veliu theksoi se për këtë çështje do t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese, duke marrë parasysh se Marrëveshja e Ohrit dhe Kushtetuta parashohin se si shqiptarët, ashtu edhe maqedonasit që morrën pjesë në konfliktin e vitit 2001 përfitojnë njëlloj. /albeu.com/
Shtuar më 14/08/2014, ora 15:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori