Vendimi i komunës së Çairit i jashtëligjshëm
Në çdo moment mund të shpallet i pavlefshëm vendimi për ndërrimin e emrave të katër shkollave fillore në Komunën e Çairit. E gjithë kjo për shkak se nuk është respektuar parimi i Badenterit, thotë drejtori i Inspektoratit për vetëqeverisje lokale Vanço Shehtanski.

Sipas tij, në Inspektorat kanë arritur ankesa nga këshilltarët e VMRO-së dhe LSDM-së për mospjesëmarrje në votim lidhur me këtë vendim, me çka edhe është shkelur parimi i Badenterit. Gjithashtu, Shehtanski sqaron se në rastin konkret është dashur të votojnë gjysma e anëtarëve të bashkësisë etnike pakicë.

“Nëse vendimet e miratuara janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjet në Maqedoni, Inpsektorati sjell vendim për ndërprerje të vendimit. Ligji është shumë decid dhe i qartë. Nëse ne konstatojmë se në seancën e mbajtur nuk kanë qenë pjesëmarrës këshilltarët nga bashkësia etnike pakicë dhe të njëjtit nuk kanë marrë pjesë në votim, ne do të sjellim vendim përkatës në bazë të vendimit që na është dorëzuar.

Nëse kjo konfirmohet ne do ta respektojmë ligjin, dhe ligji në Maqedoni zbatohet në tërë territorin e vendit dhe vlen për të gjithë, pa dallim feje, partie ose përkatësie tjetër politike”, tha Vanço Shehtanski, drejtor i Inspektoratit për vetëqeverisje lokale.

Shehtanski gjithashtu sqaroi se inspektorët për vetëqeverisje lokale janë duke punuar në këtë rast, ku për momentin po bëhen edhe disa kontrolle plotësuese, raporton Alsat. Nga komuna sot nuk dëshiruan të prononcohen rreth qëndrimeve të inspektoratit të vetëqeverisjes lokale ndërsa kohë më parë nga BDI-ja ditë më parë thanë se mbështesin vendimin e komunës së çairit dhe se do të hiqnin dorë nga emrat shqip të shkollave në Komunën e Çairit vetëm atëherë, kur në Maqedoninë Lindore shkollat do të mbajnë emrat e Ismail Qemalit ose Hasan Prishtinës.

“Natyrisht se kur do të piqen kushtet, ndoshta në të ardhmen që edhe ndonjë qytet i Maqedonisë Lindore, në Strumicë apo Gjevgjeli të mbajnë emrat e Ismail Qemalit apo Hasan Prishtinës ndoshta do të jetë e logjikshme që edhe në Çair të mbahen emrat e shkrimtarëve maqedonas mirëpo për momentin derisa janë kushtet kështu mendojë se është shumë i logjikshëm vendimi i prindërve dhe i Këshillave të shkollave dhe i mbështesim fuqishëm këto vendime”, deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës I BDI-së.

Vendimi për ndërrimin e emrave të katër shkollat fillore në Çair ishte miratuar më 26 janar. Dhe në bazë të tij vendimi shkolla fillore ‘Rajko Zhinzifov’ do të emërohej në ‘Ismail Qemali’, ‘Cvetan Dimov’ në ‘Hasan Prishtina’, ‘Nikolla Vapcarov’ në ‘Imri Elezi’ dhe shkolla fillore ‘Jane Sandanski’ në ‘Jashar Bej Shkupi’.
Shtuar më 20/02/2012, ora 20:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori