Vdes gazetari i njohur në Maqedoni
Pas një sëmundjeje të shkurtër, mbrëmë vdiq Risto Popovski, figurë e njohur e gazetarisë në Maqedonisë.

Popovski (1945-2018) ishte themelues i agjencisë së parë private të lajmeve në Ballkan Makfaks, njëri nga iniciatorët për formimin e platformës mediale të CIVIL - Qendrës për liri, ndërsa ka qenë edhe redaktor në agjencinë e lajmeve Tanjug.

Karrierën gazetareske e nisi në Radio Shkupin, ku ka punuar nga viti 1965 si vullnetar, ndërsa nga viti 1970 atje angazhohet edhe profesionalisht. Nga viti 1974 deri në vitin 1992 mbetet në Tanjug, së pari si gazetar, ndërsa pastaj edhe si shef i redaksisë maqedonase të agjencisë. Ka qenë korrespondent në Moskë në kohën e ndryshimeve historike në fillim të viteve të nëntëdhjeta.

Në vitin 1992 e ka themeluar agjencinë e pavarur të lajmeve Makfaks dhe ka qenë komentues i javores Globus, gazetës ditore "Sloboden peçat", si dhe komentues i Maqedonisë për televizionin Al Xhezaira.

Është fitues i çmimit për vepër jetësore të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.


Shtuar më 24/07/2018, ora 14:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori