Vdes aktori i njohur në Maqedoni (VIDEO)
Dje ka ndërruar jetë aktori nga Maqedonia, Salaetin Bilal (1942 – 2018). Njoftimin për vdekjen e tij e ka bërë administratori i faqes zyrtare të aktorit të ndjerë.

“Me keqardhje ju informojmë se ndërroi jetë Salaetin Bilali. I informojmë të gjithë dashamirët që varrimi do të bëhet në varrezat e Butelit, pas namazit të xhumasë që do të falet në xhaminë Bedr në Butel”, thuhet në njoftimin e faqes “Salaetin Bilal”.

Duke qenë pjesë e veprimtarisë së Teatrit Shqiptar të Shkupit, i njëjti ka njoftuar se lamtumira e fundit e të ndjerit do të bëhet sot, në ora 13:00, në varrezat e Butelit në Shkup.

“U nda nga jeta aktori Saletin Bilall – një nga figurat më të spikatura të skenës teatrore dhe filmike të vendit. Ceremonia fetare mbahet sot në ora 13.00 në Xhaminë e Butelit, ndërsa varrimi bëhet në varrezat e Butelit në ora 13:30”, thuhet në njoftimin e Teatrit Shqiptar të Shkupit.

Si e kujtojnë bashkëpunëtorët?

“Me pikëllim të thelle e mora lajmin për shuarjen e gjigandit të skenës z. Salaetin Bilal. Teatri dhe ekrani humbën një artist të pazëvendësueshëm. Jam shumë me fat që ju pata partner në skenë dhe në TV, ishit udhërrëfyes për mua dhe i tillë do të mbeteni përgjithmonë. Ngushëllime teta Eli, ngushëllime familja Bilal. Prehu në paqe axha Salko”, shkruan aktori, Muzafer Etemi.

“Një aktor që shtëpi amë kishte Teatrin Turk e që aq shumë dha në skenën e Teatrit Shqiptar u shua sonte. Do t’i mungosh publikut. Do të na mungosh neve që prisnim kritikat e këshillat e tua për ta bërë teatrin më të mirë. Në prova, premiera e repriza do të presim hijen tënde krah Teta Elit… si gjithomë. Qofsh i Parajsës axhi Salko”, shkruan pjesëtarja e Teatrit Shqiptar të Shkupit, Anita Latifi.

Biografia

Aktori Salaetin Bilal ka lindur më 19 mars 1942 në Shkup. Veprimtaria e tij ka qenë e fokusuar në aktrim si në teatër, filma dhe seriale televizive të nacionalitetit turk.

Ai ka studiuar në konservatorizmin teatror në Stamboll të Turqisë. Më vitin 1964 është bërë pjesë e ansamblit të Dramës Turke në Teatrin Kombëtar në Shkup. Si aktor mysafir ka qenë ka luajtur edhe në skenat e Teatrit Kombëtar të Maqedonisë, Teatrit Dramatik si dhe në teatrin e tij amë, Teatrin Shqiptar në Shkup.

“Armiku i popullit”, me tekst të Henrik Ibsenit dhe regji të Dino Mustafiqit, bashkëprodhim midis “Teatrit të një aktori” të Shkupit dhe teatrit ODA të Prishtinës, ishte shfaqja pjesë e së cilës ka qenë edhe aktori Salaetin Bilal, shfaqje kjo që u shpërblye me çmimin Çmimi për Lexim Bashkëkohor në edicionin e 25-të të Festivali Kombëtar i Teatrove të Formacioneve të Vogla në Vratsa të Bullgarisë.

Roli prej aktori është vlerësuar edhe me çmim sikur artisti më i mirë në Shfaqjet Teatrore “Vojdan Çernodrinski” në Prilep më vitet 1976 dhe 1990, dhe në shfaqjet teatrore më vitin 1992 u zgjedh si roli më i mirë i realizuar.

Tashmë i ndjeri Salaetin Bilali, më vitin 1977 ka qenë i dekoruar edhe me çmimin më të lartë shtetëror të Qytetit të Shkupit, “13 Nëntori”, e kurse më vitin 1984 ai mori dekoratën më të lartë shtetëror në Maqedoni, “11 Tetori”.

Më poshtë e sjellim edhe video nga projekti i fundit i Salaetin Bilal .
Shtuar më 11/05/2018, ora 09:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori