Vazhdon seanca gjyqësore për "Lagjen e Trimave", mes 50 dëshmitarëve ka dhe politikanë
Nesër vazhdon seanca gjykuese për rastin e "Lagjes së Trimave" në Kumanovë, ku pritet të dëgjohen dëshmitarët e palës mbrojtëse, mes tyre politikanë dhe ekspertë të fushave të ndryshme.

Ndryshe, të enjten që shkoi, tre dëshmitarët Shaban Jashari, Murat Lutfiu dhe Viktor Denkovski nuk janë paraqitur në SPB-Kumanovë për t'u paraqitur në gjykatë dhe se të njëjtit nuk janë gjetur në adresat e vendbanimit për t'u përgjigjur urdhrit për shoqërim policor deri në gjykatë.

Të akuzuarit, para se të lexohet deklarata e dëshmitarit kanë reaguar dhe kanë rekomanduar të mos pranohen të njëjtat për faktin se është dhënë nën trysni. Megjithatë gjykatësja nuk e ka pranuar kundërshtimin, dhe Panovski ka lexuar dëshminë e Jasharit.

"Më 5-6 maj kam vërejtur një person me uniform në shtëpinë e Fadil Fejzullahut. Të nesërmen e kam pyetur Fadilin se kush janë dhe ai më ka thënë se janë UÇK dhe se kanë ardhur për ne. Unë i thash që a duhet dikush të eksperimentojë me ne. E pyeta kush i solli, nuk mu përgjigj.

Ditëve më prapë kam vërejtur persona të panjohur në oborrin e Fadilit. Pash se mbanin armë të tipit kallashnikov. Krismat më 9 maj na frikësuan, u dëgjuan eksplodime, dëgjova britma 'urra UÇK', Sokoli jepte komanda", citohet të ketë thënë Jashari.

Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës këtë dëshmi e kanë hedhur poshtë këtë dëshmi duke e vlerësuar si të pabazë.

Kujtojmë se në rastin "Kumanova – Lagjja e Trimave" akuzohen 37 persona, për terrorizëm, për ndodhitë e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë. /albeu.com/

Shtuar më 12/02/2017, ora 14:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori