Me një akademi solemne, Universiteti Shtetëror i Tetovë e shënoi sot 107 vjetorin e
Kongresit të
Manastirit. Akademinë e shpalli të hapur dekani i Fakultetit Filologjik, Doc. dr. Fatmir Sulejmani, i cili theksoi se udha e alfabetit të shqipes ka qenë e gjatë dhe e vështirë.
"Ajo është shtruar me gjakun dhe eshtrat e drobitur të martirëve të dritës së diturisë, të flijuar vetëdijshëm në dhëmbëzorët e pushteteve satrapë që e kishin zët shqiptarin zot të vetvetes, shqiptarin e qytetëruar në auditorët shkollorë, shqiptarin e ndërgjegjësuar që të punojë më shumë për vetveten se sa për tjetrin. Këto janë shkaqet përse kombi me kultivues të hershëm kulture e letërsie arriti ta konsolidojë alfabetin vetëm në fillim të sh. XX", tha Doc.dr. Fatmir Sulejmani.
Ai, po ashtu deklaroi se zgjedhja e një ABC-je sfidoi anarkinë e alfabeteve që përdoreshin në vigjilje të
Kongresit të
Manastirit, të cilët e bënë gjuhën, jo vetëm mjet shpëtimi të kombit, po dhe element që nisi të rrezikojë seriozisht ekzistencën e tij, prandaj qe ky momenti i fundit për ta kuptuar se dezintegrimi i gjuhës nënkuptonte dhe dezintegrimin e etnisë.
Ndërsa referat lidhur me rëndësinë dhe zhvillimin e punimeve të
kongresit mbajti Doc.dr. Izmit Durmishi, i cili u shpreh se
Kongresi i
Manastirit përbën një nga ngjarjet më të shënuara në historinë e kulturës dhe kombit shqiptar në përgjithësi.
"
Kongresi i
Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin e për kulturën në veçanti, por edhe për çështjen kombëtare shqiptare në përgjithësi. Vendimet e
Kongresit ishin kurorëzim i veprimtarisë së shumë brezave lëvruesish të shqipes dhe i përpjekjeve të pandërprera për njësimin dhe afirmimin e gjuhës shqipe. Ai është kurorëzimi i përpjekjeve disashekullore të mendjeve më të ndritura të kombit", theksoi Doc.dr. Izmit Durmishi.
Në akademi u theksua se
Kongresi i
Manastirit është monumenti më i madh kombëtar për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen. Ai u organizua në rrethana tepër të vështira shoqërore-politike dhe ishte në vëzhgimin e plotë të Portës së Lartë, shtetit grek dhe qarqeve sllave, megjithatë ata nuk arritën që të pengonin punimet e
Kongresit dhe të realizonin politikat e tyre shkrimore, që i impononin përmes disa intelektualëve shqiptarë.
Po ashtu, u vlerësua se
Kongresi i
Manastirit ishte një kuvend mbarëkombëtar, i cili në gjirin e vet mblodhi figurat më eminente të Rilindjes tonë kombëtare si: Mithat Frashëri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Gjergj Qiriazi, Nikollë Kaçorri, Shahin Kolonja, Fehim Zavalani, Mati Logoreci, Ndre Mjeda, dhe shumë të tjerë, të cilët sakrifikuan veten dhe e shkrinë pasurinë e tyre për unifikimin e gjuhës shqipe dhe avancimin e çështjes kombëtare.
Akademia solemne kushtuar
Kongresit të
Manastirit, Ditës së alfabetit, përfundoi me një program artistik të përgatitur nga Fakulteti Filologjik dhe Fakulteti i Arteve. /albeu.com/
Shtuar më 20/11/2015,
ora 17:26