Uollers: Të përmirësohen marrëdhëniet ndëretnike
Para largimit nga Maqedonia, ambasadori amerikan Poll Uollers, përcolli mesazhe të prera ndaj lidershipit në vend. Ambasadori tërhoqi vërejtje për thellimin e ndarjeve mes bashkësive etnike, ndërkohë që theksoi se stabiliteti i Maqedonisë është në të mirë të gjithë rajonit por edhe Evropës

“Ekziston nevoja për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike. Kam frikë se dy komunitetet po thellojnë ndarjet, në vend që të afrohen, prandaj është shumë e rëndësishme për Maqedoninë që ta zgjidhë këtë çështje. Qeveria por edhe opozita e partitë shqiptare duhet të punojnë së bashku sepse është problem i përgjithshëm që nuk mund të zgjidhet nga një person. Të gjithë qytetarët, është me rëndësi, që të jenë besnik dhe të punojnë për të mirën e Maqedonisë, por nga ana tjetër edhe shteti duhet të jetë besnik ndaj qytetarëve dhe të punoj për ta, në të mirë të tyre”, u shpreh Poll Uollers, ambasadori në largim i SHBA-së.

Nga ana tjetër, Uollers nënvizoi hapat që duhet të ndërmarrin autoritet për zhbllokimin e integrimeve euro-atlantike. Sipas tij, zgjidhja e çështjes së emrit si dhe sundimi i të drejtës janë thelbësore për prosperitetin e vendit.

Këto vlerësime Uollers i bëri pas takimit të lamtumirës me krye-parlamentarin Trajko Veljanovski. Ambasadori i deritanishëm amerikan Poll Uollers do të zëvendësohet nga kolegu i tij Xhes Bejli. /albeu.com/
Shtuar më 15/01/2015, ora 16:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori