Kryegjyshata Botërore Bektashiane pro strehimit të afganëve: Hapni zemrat, siç tradita e shqiptarit e ka zakon

Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka shprehur solidaritetin e saj lidhur me afganët e arratisur nga vendi i tyre. Ajo është në një linjë më qeverine shqiptare lidhur me strehimin e tyre në vendin tonë.

Kryegjyshi botëror, Baba Mondi ka bërë edhe një apel për të gjithë bashkëkombasit tanë që ata të jenë mikpritës më afganët që do të strehoen në Shqipëri

Në një deklaratë shpërndarë për mediat, Kryegjyshi Botëror, Baba Mondi i drejtohet shqiptarëve me thirrjen “Hapni zemrat Shqiptarë ashtu siç ju ka hije, e tradita e shqiptarit e ka zakon dhe pranoni këta njerëz të pafajshëm që aq shumë e duan jetën e luftojnë për të!”.

Deklarata e Kryegjyshit Botëror

Ashtu sikundër çdo shtet demokratik , çdo shtet paqedashës , edhe shteti Shqiptarë dhe qeveria shqiptare renditet ndër shtetet që me humanizmin e mikpritjen që e karakterizon, mirëpret popullin afgan, në mënyrë që ti mbrohet jeta e të mos kërcënohet e asgjesohet nga talebanët barbarshit, pse qëndroi në krah të NATOS, këtij institucioni paqedashës e ruajtës i jetës dhe i rendit.

I bashkohem dhe uroj përzemërsisht, shtetin dhe qeverinë Shqiptare, që ju përgjigj shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të ndihmuar këtë popull që kërkon liri, paqe, ngrohtësi e dashamirësi. Që kërkon ti mbrohet jeta e të mos vritet brutalisht e pa mëshirë nga talebanët.

Misioni i komuniteteve fetare jo vetëm në Shqipëri por kudo në botë, është përhapja e vlerave morale, paqedashëse , dhe mikëpritja e shpirtmadhësia. Kryegjyshata Botërore Bektashiane mbështet këtij nismë për strehimin e popullit Afgan në shtetin Shqiptarë, me qëllim mbrojtjen e jetës, shëndetit e të gjithë atyre familjeve që enden rrugëve e kërkojnë një strehë ku të mbështeten , një përkrahje humane, e një sofër të ngrohtë.

Hapni zemrat Shqiptarë ashtu siç ju ka hije ,e tradita e shqiptarit e ka zakon dhe pranoni këta njerëz të pafajshëm që aq shumë e duan jetën e luftojnë për të!

Jeta është e shtrenjtë dhe e shenjtë dhe shqiptarët kurdoherë , historikisht e kanë treguar zemërgjerësinë e dashamirësinë për çdo kënd që ka patur nevojë për ta, ju ka ofruar ndihmën, përkrahjen, sofrën e dashurinë vëllazërore! Edhe këtë herë mikëpritja e zemra çdo besimtari shqiptarë do të hapet e do të mirëpres këtë popull të vuajtur por me besim në Zot e që kërkon të jetojë!

KRYEGJYSHI BOTËROR I BEKTASHINJVE

SHENJTËRIA E TIJ

HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ

 


Shtuar 16.08.2021 15:58