Koronavirusi , UEFA shqetësohet dhe organizon një takim të jashtëzakonshëm në Amsterdam

Rritja e numrit të të prekurve nga Coronavirusi dhe veçanërisht i rasteve në Europë, ka bërë që edhe UEFA të shqetësohet e të vihet në lëvizje, duke organizuar një takim të jashtëzakonshëm në Amsterdam, me pjesëmarrjen e të 55 vendeve anëtare.

Asambleja urgjente pritet të mbahet ditën e martë, ndërsa synimi është që të diskutohet për eventin më të rëndësishëm sportiv të vitit, kampionatin Europian që pritet të startojë në 12 qershor, por edhe takime të tjera.

Kjo pasi në mars pritet të luhen ndeshjet Play Off për të plotësuar edhe 4 skuadrat e fundit që do të marrin pjesë në Europian, ndërsa janë planifikuar edhe disa ndeshje miqësore, mes të cilave Angli-Itali, në “Wembley”.

Presidenti i Federatës së Uellsit ndërkohë ka shprehur shqetësimin e tij për sfidën që do të luajnë përballë Italisë në “Olimpico’ të Romës, më 21 qershor, pasi ka theksuar se mbi të gjitha duhet menduar për shëndetin e njerëzve.

Kujtojmë që Coronavirusi ka prekur Italinë më shumë se çdo vend tjetër europian dhe ka bërë që shumë ndeshje futbolli të shtyhen për të mos rrezikuar përhapjen e virusit që në jo pak raste ka rezultuar fatal.


Shtuar 1.03.2020 12:30