U tall me viktimat e aksidentit, pedagogia merr një goditje të rëndë (FOTO LAJM)

Pedagogia universitare Biljana Vankovska, është e përfshirë në njërën nga 5 procedurat e hapura nga Ministrisë së Punëve të Brendshme për gjuhë të urrejtjes të shpërndarë në lidhje me aksidentit tragjik në autostradën Shkup-Tetovë.

Procedura kundër Vankovskës u hap pasi që e njëjta, aksidentin tragjik ku humbën jetën 14 persona e lidhi me ndodhinë e konfliktit të vitit 2001 në Karpallëk në të cilën u vranë 10 ushtarë të Armatës së Maqedonisë nga formacionet e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Pas një sërë reagimesh, sot ka reaguar edhe rektori i Universitetit “Shkën Kirili dhe Metodi”, Nikolla Jankullovski, i cili tha se distancohet nga qëndrimi i profesoreshës dhe thotë se i dënon ashpër të gjitha deklaratat të cilat aludojnë në padurim dhe jo-tolerancë dhe krijojnë ndjenjë të urrejtjes.

“Duke mos u futur në kualifikimet juridike të deklaratës së profesoreshës Biljana Vankovska, për arsye morale ndjej obligim që të distancohem nga deklarata e saj. Si njeri ashpër i dënoj të gjitha të gjitha deklaratat që aludojnë në padurueshmëri dhe jo-tolerancë dhe krijojnë ndjenjë të urrejtjes. Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” gjithmonë e ka përkrahur lirinë dhe të drejtën që [do profesor dhe student të shprehen lirë. Janë të vlefshme qëndrimet e kundërta, debatet dhe kritikat, por të njëjtat duhet që të jenë në korniza të humanitetit dhe respektimit të të drejtave të njeriut”, shkruan rektori Jankullovski.

Në ditën e aksidentit, Vankovska shkruajti një status“Çfarë tragjedie dhe ironie: Karpallëk”. Qëndrimi i saj shkaktoi uragan të reagimeve për shkak të urrejtjes që përcolli pasi që aksidentin tragjik, profesoresha e ka lidhur me ngjarjen e konfliktit të vitit 2001, kur formacionet e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtarë në grykën malore Karpallëk, në rrugën Tetovë-Shkup, e sulmuan një autokolonë të Armatës së Maqedonisë dhe vranë dhjetë ushtarë,

Për deklaratën ka reaguar menjëherë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi duke kërkuar që organet kompetente, por edhe bota akademike menjëherë të reagojnë për rastin në fjalë.

Dje reagoi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski i cili tha se ndjehet i poshtëruar kur dëgjon gjuhë të urrejtjes, sidomos kur vjen nga ndonjë profesor universitar.

“Është ndjenjë e humbjes njerëzore, personalisht, mendoj se si njerëz nuk mund të përballojmë gjithçka, pasi duam të respektohemi mes vete, por përkundrazi, ndoshta ndarjet politike, fetare dhe kombëtare i vendosim përpara jetës njerëzore që është diçka më e shenjtë. Një gjuhë e tillë e urrejtjes më bën të ndjehem i poshtëruar dhe i mposhtur, sidomos kur kjo vjen nga një profesor universitar”, tha Spasovski.
Shtuar më 15/02/2019, ora 11:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori