E kërkonte Interpoli, kapet në Elbasan 48 vjeçari i përfshirë në organizata kriminale

Policia ka arrestuar një 48-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi rezulton i dënuar për trafik narkotikësh.

Falë bashkëpunimit mes ZQK Interpol Tirana, Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe autoriteteve policore italiane, u bë i mundur lokalizimi në Elbasan dhe arrestimi i shtetasit A. Ç., 48 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Reggio Calabrias, Itali, më datë 17.02.2020 i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Trafik narkotikësh” dhe “Organizatë kriminale”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

48 vjeçari, bashkëpunim me persona të tjerë, ka trafikuar nga Spanja drejt Italisë, një sasi lënde narkotike të llojit kokainë, me qëllim për ta shitur në Itali.

Arrestimi provizor u krye me qellim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957 dhe marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë.


Shtuar 26.05.2020 13:27