Treni del nga shinat në hekurudhën Kumanovë-Shkup, bllokohet 10 ditë qarkullimi
Dalja e trenit transportues nga binarët në Kumanovë e paralizoi pjesën hekurudhore të Korridorit 10. Nuk dihet se kur sërish do të normalizohet komunikacioni hekurudhor drejt Serbisë. Ekipe të disa institucioneve sot me mekanizim të ndryshëm po tenton t’i largojë vagonët nga binarët e dëmtuar. Nga Hekurudhat e Maqedonisë Transport shpresojnë se për 10 ditë situata do të kthehet në normalen. Humbjet do të jenë të mëdha, ndërsa dëmin më të madh do ta pësojë industria e metalit.

"Korridori 10 momentalisht është i ndërprerë. Kështu që, trenat që transitojnë përmes Maqedonisë së Veriut, nga Greqia drejt BE-së dhe nga Evropa drejt Greqisë nuk funksionon. Ai mall që nuk mund të përballojë është i orientuar përmes Bullgarisë ose është dërguar me kamionë. Nga ana tjetër, ai mall që mund të presë do të mbetet derisa të normalizohet komunikacioni në Korridorin 10"- deklaroi Snezhana Omeroviq, Drejtore e marketingut e HM Transport.

Ministri i transportit Goran Sugarevski shprehet se ende priten konstatimet nga raportet e komisionit profesional.

"Ne si Qeveri kuptohet edhe dy ndërmarrjet do të bëjnë çmos që në periudhë sa më të shpejtë kohore të riparohen binarët dhe të lëshohet në qarkullim komunikacioni hekurudhor- tha Goran Sugareski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve".

Nga Oda Ekonomike thonë për Alsat se deri tani është herët për çfarëdo përllogaritjesh të dëmeve nga bllokada e komunikacionit hekurudhor drejt Serbisë. Ndërprerja paraprake e komunikacionit hekurudhor në relacionin Veles-Gjevgjeli që zgjati 45 ditë për shkak të urës së dëmtuar shkaktoi dëm prej 30 mijë euro në ditë.

Vlerësimi i parë, jozyrtar për arsyet e kësaj avarie është se vagonët kanë qenë përplot me mall. Raporti i Komisionit duhet të tregojë se cila është arsyeja e vërtetë për aksidentin dhe në çfarë gjendje kanë qenë binarët dhe infrastruktura e përgjithshme hekurudhore. Kjo dalje e trentit transportues nga binarët ndodhi vetëm disa muaj pas deklaratë së autoriteteve të cilat siguronin se trenat në vend kanë kapacitet që të lëvizin nëpër binarët me shpejtësi edhe mbi 100 kilometra në orë.
Shtuar më 03/07/2019, ora 16:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori