Tre ministrat shqiptarë nënshkruajnë Programin e Përbashkët Arsimor
Tre ministrat shqiptare te Arsimit, ai Republikës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, i Republikës së Shqipërisë, Lindita NIkolla dhe ai i Republikës së Kosovës Arsim Bajrami, nënshkruan sot ne Muzeun e Alfabetit ne Manastir Program të Përbashkëta Ekzekutiv.

I pranishëm në aktin e nënshkrimit ishte edhe zëvendëskryeministri Musa Xhaferri, i cili tha se me nënshkrimin e këtyre programeve thellohet bashkëpunimi në sferën e arsimit.

"Për mua është kënaqësi që me rastin e Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe të jenë bashkë me ne këtu tre Ministrat e Arsimit dhe Shkencës ,nga Republika e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë ku patëm rastin të jemi dëshmitarë të nënshkrimit të bashkëpunimit, diçka që ka qenë domosdoshmëri. Besoj se do vazhdojë edhe në të ardhmen të pasurohet ky bashkëpunim në kuadër të arsimit, shkencës, kulturës, sportit, varësisht sesi përkufizohet", tha Xhaferri.

Ndërsa, ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë Abdilaqim Ademi theksoi: "Sot tre ministrat e arsimit nënshkruam Programet Ekzekutive mes vendeve tona, që dalin si obligim nga marrëveshja e nënshkruar pikërisht në Vlorë".

"Tekstet e marrëveshjes janë të harmonizuara mes grupeve tona dhe kanë simbolikën e tyre, sepse janë një hap përpara implementimit të nënshkruar në Vlorë, janë edhe projekte konkrete mes vendeve tona, për shkëmbim studentësh, stafit akademik, programe të përbashkëta dhe kështu me radhë. Sigurisht që përcaktimi i delegatëve të Kongresit të Manastirit para 107 viteve që ka qenë përcaktim proeuropian dhe nënshkrimi i këtij programi ekzekutiv sot nënkupton një harmonizim mes hapësirës arsimore mes vendeve tona, pra është në frymën e vendimeve të Kongresit të Manastirit para 107 viteve. Dëshiroj që të përgëzojë edhe të uroj dy kolegët për aktivitetet që zhvillojnë në vendet e tyre dhe janë mbështetja ime morale dhe profesionale mbi vendimet e përbashkëta që i marrim ne këtu në Maqedoni. Dua të falënderoj edhe zëvendëskryeministrin Musa Xhaferi në patronazhin e të cilit organizohet kjo ngjarje për përkrahjen e dhënë, apo momentin për të nënshkruar këtë marrëveshje në Manastir, dhe shpresoj siç tha ministri Arsim Bajrami të shihemi në Prizren dhe të rrumbullakojmë edhe aktivitetet tona në tre qendrat e vendosjes apo historike shqiptare të Vlorës, Manastirit e Prizrenit", tha ministri Ademi.

Ndërkaq ministrja e arsimit dhe shkencës së Shqipërisë, Nikolla, duke përshëndetur nënshkrimin e këtyre programeve, tha se: "bashkëpunimi në sferën e arsimit në mes tre vendeve tona do të thellohet më shumë me realizimin e projekteve dhe programeve konkrete".

Ndërsa ministri i arsimit të Kosovës, Arsim Bajrami, tha se: "nuk ka rast më të mirë që pas Vlorës, ku nënshkruam marrëveshjen për bashkëpunim, sot në Manastir të zotohemi se ne do të punojmë bashkë në zbatimin e platformës së përbashkët në sferën e arsimit dhe shkencës". /albeu.com/
Shtuar më 22/11/2015, ora 16:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori