Tragjedia, partitë shqiptare mesazhe ngushëllimi
Ngushëllime për tragjedinë e Himarës, ku humbën jetën 13 studente të Universitetit të Elbasanit "Aleksandër Xhuvani", kanë ardhur edhe nga partitë politike shqiptare në Maqedoni.

"Lajmin për aksidentin e tmershëm në afërsi të Himarës, ku humbën jetën shumë studentë dhe të tjerë po luftojnë për jetën e tyre, e pranova me pikëllim të madh dhe dhimbje. Në këto çaste të rënda për familjet e viktimave dhe të të plagosurve, ju lutem më lejoni të shpreh ngushëllimet e mija më të sinqerta për viktimat e këtij aksidenti tragjik si dhe të uroj shërim sa më të shpejtë të të plagosurve. Njëkohësisht, në emër të të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, më lejoni të ngushëlloj drejtuesit e institucioneve të Shqipërisë dhe t’i siguroj që qëndrojnë pranë tyre në këto momente të vështira dhe po qe nevoja, jemi në dispozicionin tuaj", thuhet në telegramin e ngushëllimit të BDI-së.

Kryetari i Rilindjes Demokratike, Rufi Osmani, i dërgoi telegram ngushëllimi presidentit të Shqipërisë Bamir Topi dhe familjarëve të viktimave.

"Me dhimbjen dhe pikëllimin më të thellë e pranova lajmin për vdekjen e studentëve në aksidentin rrugor në afërsi të Himarës. Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Rilindjes Demokratike Kombëtare, Juve, drejtuesve të institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe familjarëve të viktimave, t’Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për viktimat, ndërsa të lënduarve t’ju dëshiroj shërim sa më të shpejtë", shkruhet në telegramin e RDK-së.


Demokracia e Re përmes një telegrami gjithashtu ka shprehur ngushëllimet më të thella familjarëve të viktimave dhe Qeverisë shqiptare lidhur me tragjedinë e Himarës.

"Me dhimbje të thellë pranuam lajmin për tragjedinë e Himarës, që mori jetën e motrave dhe vëllezërve tanë. Të nderuar bashkëkombas në këtë dhimbje të madhe të qëndrojmë bashkë dhe të bashkojmë shpirtërat pranë njëri tjetrit. Le të jetë kjo tragjedia e fundit që po përjeton populli shqiptar", thuhet në telegramin e DR-së.

Telegram ngushëllimi pritet të dërgojë edhe Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit. /albeu.com/
Shtuar më 22/05/2012, ora 14:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori