Tome Axhiev i "pakapshëm" pas publikimit të "Bombës 19"
Kryetari i Komisionit për lustrim Tome Axhiev nuk përgjigjet telefonatave të televizionit Alsat M për të komentuar bombën e opozitës, në të cilat sipas LSDM-së dëshmohej se Komisioni për lustrim punon në bazë të porosive të VMRO-DPMNE-së.

Edhe pse në disa prononcime publike ai e ka mohuar veprimin selektiv dhe politik të komisionit, ai sot shmangu komentimin e dy bisedave të tij me deputetin e VMRO DPMNE-së Antonio Milloshovski, nga i cili merr porosi për lustrimin e një gjykatësi.


LSDM-ja publikoi dy biseda telefonike të deputetit dhe ish ministrit të jashtëm Antonio Milloshoski, i cili kërkon nga Axhiev lustrimin e gjykatësit nga Kërçova Dragan Bileski. Në një deklaratë për mediat, Bileski është shprehur i habitur nga, siç thotë ai, ligësia e Milloshoskit ndaj tij.


Në bisedat e tjera të publikuara nga LSDM-ja në Manastir, ministrja e brendshme Gordana Jankulloska dhe sekretarja e kryeministrit Gruevski Lençe Samarxhievska, komisionin për lustrim e quajnë "banda e Axhievit".

Nga ana tjetër, përpiluesi i ligjit të parë për lustrim Stojan Andov, vlerëson se bomba e opozitës vetëm se vërtetoi atë që ndjehej tashmë në opinion, veprimin selektiv dhe revanshizmin politik të Komisionit për lustrim.

"Nuk na befasoi, ndjehej dhe shihej se kështu ka funksionuar, sepse këto rezultatet që dalin për çdo ditë, është e qartë se është jashtë qëllimit të ligjit dhe se realizohen qëllime të tjera. Tani e shohim se çfarë qëllime janë përmbushur. Drejtpërdrejt një grup i vogël nga pushteti ekzekutiv i mban në dorë të gjitha adutët dhe e kontrollon këtë proces", deklaroi për Alsat-M ish kryeparlamentari Stojan Andov. /albeu.com/
Shtuar më 09/04/2015, ora 16:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori