"To Vima": Nimic kthehet në atmosferë të pasigurtë
Methju Nimic javën e ardhshme kthehet në Athinë dhe në Shkup në përpjekje të re për të gjetur kompromis për çështjen e emrit të Maqedonisë. Në prag të dhjetorit, kur sërish do të diskutohet për zgjerimin e Bashkimit Evropian, diplomati amerikan sërish do të përpiqet t'i sheshojë dallimet ndërmjet dy palëve, shkruan "To Vima".

Megjithatë, thekson gazeta, këmbimi i kohëmëparshëm i letrave ndërmjet dy kryeministrave, Nikolla Gruevski dhe Andonis Samaras tregoi se hendeku ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë është ende i madh.

"Gruevski po përpiqet të arrijë dialog politik, sipas mundësisë me takim të dy kryeministrave, diçka që Athina nuk e dëshiron. Në të njëjtën kohë, kthehet në strategjinë për mbajtjen e atmosferës së përgjithshme pozitive në Komisionin për datë për fillim të negociatave inkuadruese dhe i dërgoi letër eurokomisarit për zgjerim, Shtefan Fyle. Athina insiston në atë se vendimet i sjellin të gjitha anëtaret e Këshillit, por çdoherë ekziston rreziku nga lodhja tek partnerët rreth kësaj çështje", komenton gazeta, citon Mia.

Nuk dihet nëse Nimic të hënën gjatë takimit me shefin e diplomacisë greke, Evangellos Venizelos do të sjellë propozim të ri apo sërish do të diskutohet për të vjetrin.

"To Vima" përkujton se "propozimi i fundit 'Republika e Epërme e Maqedonisë' u refuzua nga pala greke sepse është e qartë se Athina nuk pranon vendosjen e përcaktimit gjeografik para emrit kushtetues".

"Në të njëjtën kohë, Athina duket sikur është e gatshme 'të luajë' me faktorin shqiptar jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë në Ballkan (për shembull Kosova), në kuadër të një kthese realiste. Në këtë kontekst duhet të shihet edhe në takimin e Venizelosit me Ali Ahmetin, liderin e partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni dhe partner qeveritar i Nikolla Gruevskit", komenton gazeta greke dhe përkujton edhe për takimin e Avramopullosit me Fatmir Besimin në maj të këtij viti. /albeu.com/
Shtuar më 05/09/2013, ora 19:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori