Timermans, Ahmetit: Zhvilloni politikë integruese
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, zhvilloi një takim zyrtar me ministrin e Jashtëm të Holandës, Frans Timermans. Ministri i Jashtëm Timermans i uroi mirëseardhje Kryetarit Ahmeti dhe shprehu vlerësimin e tij të lartë për rolin e Kryetarit Ahmeti në stabilitetin e vendit dhe ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha ndëretnike në Maqedoni.

Ahmeti falënderoi Ministrin Timermans shprehu mirënjohje të lartë për rolin që Holanda e ka në vendosjen e paqes dhe ngritjen e institucioneve demokratike në Maqedoni dhe në rajon. Holandezët si Maks Van Der Shtul, Nikolas Biegman, Piter Feith, Robert Sery dhe të tjerë kanë kontribuar shumë në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit.

Por ai shfaqi shqetësimin që këto arritje të përbashkëta që janë siguruar nëpërmjet të partneritetit me komunitetin ndërkombëtar, mund të rrezikohen nga vonesat për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Vonesa gjithashtu mund të ndikojë në cilësinë dhe dinamikën e reformave të kërkuara nga BE. Andaj, ashtu siç bashkërisht e ndërtuam paqen dhe stabilitetin në Maqedoni dhe rajon, bashkërisht, me ndihmën e Brukselit, Washingtonit dhe vendeve anëtare të BE, do të duhet edhe ta zgjidhim pengesën serioze që po e mban peng integrimin e vendit",-tha Ahmeti.

Ministri Timermans theksoi mbështetjen e parezerv të Holandës për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE dhe inkurajoi palët për arritje sa më të shpejtë të kompromisit midis Maqedonisë dhe Greqisë./albeu.com/
Shtuar më 08/10/2013, ora 17:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori