Thaçi: Unë nuk di të bëj pazarllëqe
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka sqaruar pozicionin e fundit të tij lidhur me zërat për qëndrimet e PDSH lidhur me bashkëpunimin opozitar në Maqedoni. Deklarata e tij erdhi gjatë Konferencës Zgjedhore të Forumit të Gruas së PDSH-së.

"Dua të ju jap vetëm disa sqarime me ngjarjet e fundit aktuale dhe të ju jap disa sqarime se si veproj unë. E shihni se ka shumë komente përreth se unë asesi të merrem vesht me Cërvenkovskin, assesi të merrem vesht me Rufi Osmanin, assesi të merrem vesht me do të tjerë. Të nderuara zonja, unë nuk sillem si në pazar, votat tuaja dhe vullnetin e shqiptarëve që ma kanë dhënë e përdori vetëm për të mirrën e shqiptarëve dhe për platformën e Partisë Demokratike Shqiptare. Unë nuk mund të sillem si të tjerët, që paradite me dikënd, e pasdite me dikën tjetër bën pazarllëqe. Unë e di dhe jam plotësisht i vetëdijshëm që më vështirë dhe më rëndë e keni ju që ta duroni këtë politikë sepse jeni ju ata që mbani frontin me ata që ju ndjekin, që ju kërcnojnë apo që ju nxjerrin prej pune", theksoi Thaçi.

Ai ka theksuar se mburret me politikën që ka udhëhequr me PDSH-në.

"Unë mburrem që jam Kryetar i juaj, por edhe ju mburreni me mua për politikën e pastër kombëtare, sepse në këto 20 vite politikë ende askush nuk më ka thënë ashtu si i thanë dikujt: "O Ali, o tradhtar, ti je shka nuk je shqiptar". Nuk dua më tepër ta zgjas, qëndresa jonë, e kësaj partie, e këtij opsioni politik dhe qëndresa ime 19 vjeçare në politikë, prej një moshe shumë të re, jep fakte dhe argumente të mjaftueshme se ideja jonë jeton", theksoi kryetari i PDSH-së.

Ai ka kërkuar angazhim dhe organizim të shqiptarëve me moton siç nënvizoi "Shqiptarëve u mungon liria", duke shtuar se PDSH do ti sjellë shqiptarëve lirinë. /albeu.com/
Shtuar më 28/05/2012, ora 17:15

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori