Thaçi: BDI ta ngrejë flamurin në Shkup
BDI duhet të përkujdeset që të ngritët flamuri shqiptar në qendër të Shkupit për nder të 100-Vjetorit, e jo të thërret në ngritje private të flamurit, tha lideri i PDSH-së Menduh Thaçi pas takimit të sotëm me Drejtorin e Përgjithshëm të Zgjerimit në Komisionin Evropian Stefano Sannino në Shkup.

"Sigurisht shqiptarët duhet të festojnë, por BDI është një parti qeveritare e cila duhet të përkujdeset të sillen ligje të cilat do të mundësojnë që shqiptarët të ngrenë flamurin në qendër të Shkupit dhe në qendër të gjithë qyteteve, jo kështu manifestime private. Flamurin shqiptar shqiptarët e kanë ngritur para BDI-së, para meje, në mënyrë private, por beteja jonë dhe e gjithëve është që flamuri të ngritët me ligj dhe në mënyrë kushtetutare", tha Thaçi.

Ai gjithashtu tha se ftesat që i ka bërë BDI partisë së tij për pjesëmarrje në manifestimin qendror me rastin e 100 vjetorit më 25 nëntor në Shkup kanë qenë sa për të larë gojën, duke shtuar se partia e tij në qytetin e Tetovës po realizon fushatën "100 vjet pa Shqipëri".

"Ftesa e fundit nga BDI ishte sa për të larë gojën, 2-3 ftesa, nuk na kanë ftuar në asnjë manifestim përpara, nuk na kanë konsultuar në asnjë manifestim, në rregull le të festojnë të gjithë, është atmosferë feste, dikush në Tetovë, dikush në Shkup, dikush në Dibër, Prishtinë, Tiranë, por motoja jonë është e qartë: 100 vjet pa Shqipëri, 100 vjet vuajtje për këtë komb. Vazhdojnë këto vuajtje sot e sot, më vjen keq, 24 000 të burgosur politik, prej para 100 viteve deri pardje me gruan 60 vjeçare. Ne mendojmë pak më ndryshe, megjithatë pas festave pak më tepër politikisht do të flasim", u shpreh lideri i PDSH-së, njofton Portalb.mk.

Sa i përket takimit me Stefano Saninon, Thaçi tha se në këtë takim ka përcjellur qëndrimin e PDSH-së dhe përkrahjen e saj për të gjithë faktorët politik në vend dhe jashtë vendit të cilët mundohet që Maqedonia të marrë datë për fillimin e bisedimeve.

Mos marrja e datës, sipas Thaçit, do të sjellë në Maqedoni një situatë mjaft delikate sa u përket raporteve ndëretnike, ndoshta më delikaten pas vitit 2001. /albeu.com/
Shtuar më 23/11/2012, ora 15:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori