Thaçi akuzon Ahmetin për dhunën në Kuvend
Pëlqej
PDSH-ja jo vetëm që bojkoton punën aktuale të Kuvendit të Maqedonisë, por nuk e përjashton mundësinë e bojkotimit, përgjithmonë të këtij institucioni.

Mesazhi është dhënë sot nga kreu i partisë, Menduh Thaçi i cili komentoi për herë të parë, rrahjen e deputetëve, në komisionin kuvendor për financa e Buxhet.

Thaçi theksoi se ngjarja është një skenar i ndërtuar nga Ali Ahmeti dhe partia e tij, si një mënyrë për t'i mbyllur gojën opozitës.

Thaçi theksoi më tej, se incidenti erdhi pas sharjeve dhe ofendimeve që u iniciuan nga deputetët e BDI-së, të cilat nuk i shkojnë për shtati moralit dhe traditës së shqiptarëve.

Duke folur për masat e ardhshme, Thaçi përsëriti qëndrimin e mëhershëm të partisë, se PDSH-ja nuk do të marrë pjesë në punimet e kuvendit, për një afat të pacaktuar, madje, është shumë afër marrjes së një vendimi për ta bojkotuar përgjithmonë institucionin ligjvënës. Komentet, Thaçi i bëri para fillimit të mbledhjes së kryesisë qendrore, në të cilën, u zgjodhën koordinatorët e 6 njësive, për mbajtjen e kongresit.

Jo vetëm që nuk ka ndonjë masë ndaj deputetit Orhan Ibrahimi, por PDSH-ja e zgjodhi ata edhe si një nga koordinatorët e organizimin e kongresit partiak që do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm, transmeton Alsat.

"Unë jam plotësisht i sigurt se ky është një skenarë i përgatitur mirë nga Ali Ahmeti dhe nga BDI-ja. Për shkak se mënyra, fjalori,ofendimet dhe sharjet që bënin deputetët e BDI-së ndaj deputetëve tonë,nuk kanë asgjë të përbashkët me kulturën dhe traditën shqiptare. Kur dikush ashtu të fyen dhe shanë, nuk ka njeri që nuk reagon në aspekt njerëzor, siç reaguan deputetët tanë. S'kishin kurrfarë rrugëdalje tjetër", ka thënë Thaçi.

Qëllimi dhe tentimi është që me mbyllë gojën opozitës shqiptare, me e frikësua opozitën shqiptare. Por ne jemi shumë afër që me ua plotësua atë dëshirë. Ne jemi afër vendimit për mos me marrë pjesë më asnjëherë në punimet e atij parlamenti. Po nuk ngutemi me këtë vendim sepse mua më duhen disa konsultime të brendshme strukturore partiake dhe plus konsultime me bashkësinë ndërkombëtare", deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Shtuar më 28/08/2014, ora 21:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori