Tetovën e gjeta me 8 milionë euro borxh
Tetova, një qytet i rinisë, i iniciativës private dhe i një diaspore të madhe të shtrirë gjithandej botës. Tetova në fakt, është qendër më e rëndësishme e zhvillimeve politike, ekonomike, kulturore e arsimore të shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe me një ndikim evident edhe në mbarë botën shqiptare. Ky qytet i kontrasteve të mëdha, ku një njërën anë sheh grumbull plehrash, ndërsa matanë rrugës përvijohen pamje të godinave më moderne private, prej para pak javësh është nën drejtimin e Teuta Arifit, një intelektuale tetovare, bartëse e shumë pozitave të rëndësishme politike, administrative e diplomatike në vend. Arfi gjatë një interviste për Koha ka thënë se e ka gjetur Komunës e Tetovës në një borxh prej rreth 8 milionë euro, borxhe këto që vijnë si pasojë e faturave të papaguara dhe sistemimit jo të rregullt të financave komunale, ndërkohë që do të bëhet riprogramimi i borxhit, si dhe rebalancimi i buxhetit aktual si masë e parë në tejkalimin e krizës.

KOHA: Para disa javëve e morët mandatin për ta drejtuar Tetovën. Si e gjetët Tetovën?

ARIFI: Komunën e Tetovës e gjetëm në radhë të parë në një gjendje jo të mirë në dukjen e saj si pamje të jashtme. Ditën që kam hyrë në komunë për ta pranuar detyrën, gjëja e parë që më ra në sy ishte se korridoret e komunës ishin plot me tym e bishtëza të cigareve, gjë që flet qartë për një qasje jo të mirë dhe joserioze ndaj institucionit nga ana e atyre që e kanë drejtuar këtë komunë. Prandaj, aksioni im i ditës së parë ka qenë ai i pastrimit të vet ambienteve të komunës si brenda, ashtu edhe jashtë nga ana e vullnetarëve të komunës. Kjo është ajo që duket, ndërsa gjëja tjetër,që mbase e them për herë të parë në një intervistë, është se si pasojë e keqmenaxhimit, sot komuna ka një minus prej rreth 8 milionë euro. Së shpejti do t’i shpalosim edhe të dhënat për këtë. Janë këto borxhe të faturave të pa paguara, sistemi jo i mirë sa i përket aspekteve financiare në përgjithësi dhe për shkak të kësaj ka një mungesë serioze të investimeve të komunës. Ky borxh i komunës krahasuar me buxhetin investues është së paku dyfish me i madh se ky buxhet investues. Megjithatë, ne tanimë i kemi thirrur Agjencinë Shtetërore për Revizion dhe kemi marrë pëlqim nga ta se do ta bëjnë një ad-hoc revizion në komunën tonë. Gjithashtu, e kemi përgatitur edhe thirrjen publike për pjesëmarrje të shtëpive ndërkombëtare revizore të cilat gjithashtu do të bëjnë revizion shtesë. Ndërkohë, për çështjet dhe punët aktuale ditore që vijojnë nga e kaluara unë e bëj revizionin aty për aty, me qëllim që ta kem të qartë punën se si është punuar më herët. Për tejkalimin e këtyre sfidave tashmë e kam përgatitur edhe konceptin e masave për dalje nga kjo krizë, ku fillimisht do të bëhet riprogramimi i borxhit si dhe rebalancim të buxhetit aktual.

KOHA: Në ç`drejtime do të fokusoheni si veprime prioritare të administratës tuaj.

ARIFI: Prioritet do të jetë stabilizimi financiar dhe institucional i komunës. Stabilizimi financiar nënkupton që të krijojmë një situatë stabile e të hyrave dhe të dalave nga komuna, masa këto të përcjella me shtrëngim dhe kufizim maksimal i shpenzimeve të panevojshme në komunë. Pra, një masa të ekonomizimit gjithandej, masa këto të cilat do të kërkojë mbështetjen e të gjithë të punësuarve në komunë. Gjithashtu, fokusi im do të orientohet edhe në stabilizimin institucional,që nënkupton përforcimin e kapaciteteve administrative të komunës. Do të synojmë një administratë e trajnuar mirë dhe efikase, me detyra të përcaktuara e që në bazë të realizimit të atyre detyrave, do të bëhet edhe vlerësimi profesional. Pjesa tjetër e prioriteteve janë investimet që planifikohen në të ardhmen, të cilat në fakt do të pasojnë pas periudhës së stabilizimit.

KOHA: Tetova njihet si rajon që ka një diasporë të madhe e të mirë etabluar në perëndim. Njëkohësisht, ju si ish zyrtare e lartë institucionale qoftë në Parlament apo Qeveri keni drejtuar resorë të rëndësishëm të vendit e që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërkombëtar e që lidhet edhe me investime potenciale dhe projekte ndërkombëtare. Si do ta bëni këtë simbiozë të potencialit tetovar jashtë vendit dhe potencialit tuaj profesional në aspektin e rritjes se investimeve dhe projekteve ndërkombëtare për Tetovën.

ARIFI: Në radhë të parë jam jashtëzakonisht mirënjohëse të gjithë miqve ndërkombëtar, të cilët jo vetëm treguan gatishmëri, por edhe shpejtësinë në reagimin për të hapur biseda për projekte konkrete për komunën e Tetovë. Në këtë drejtim prioriteti mbi prioriteteve do të jetë tërheqja e investimeve për Tetovën. Lidhur me diasporën, ne tashmë e kemi në plan të hapim një zyre për diasporë pranë komunës sonë, zyre kjo që do të jetë pjesë e risistematizimit të njësive komunale. Kjo zyre kryesisht do të merret me kontaktin me diasporën tetovare, ku njerëzit tanë që janë jashtë e që interesohen për gjëra të ndryshme, do të mund të marrin përgjigje të shpejtë qoftë përmes formës elektronike apo përmes telefonit. Pra, ata do të kenë mundësi edhe përmes formës elektronike të kryejnë punët apo proceset që kanë të bëjnë me administratën si fjala vjen tatimet. Kështu, në korrik me ndihmën e GIZ dhe USAID do të organizojmë një Konferencë për diasporën, pra në kohën kur diaspora është në vendlindje, ku tema boshte do të jetë mundësitë për investime në vendlindje. Në këtë drejtim, Tetova ka një eksperiencë shumë gjerë ku shumë tetovar kanë mërguar, por edhe janë kthyer në vendlindje dhe që është me rëndësi kanë hapur biznese dhe pikërisht investimet e tyre i ndihmojnë shumë Tetovës në zbutjen e papunësisë. Ne si komunë do të japim lehtësime maksimale për investime që krijojnë vende të reja të punës në komunën tonë. Atë që njerëzit kurrë nuk do ta dëgjojnë nga unë është cila është pjesa ime në këtë investim. Pra, qëllimi im do të jetë angazhimi i tyre për Tetovën, pra çka mund të bëjnë ata për qytetin e tyre, ndërsa ne jemi vetëm në shërbim të tyre edhe atë në mënyrë më të ndershme dhe më profesionale.

KOHA: Decentralizimi për ekonomizimin e tokës në fakt e lehtëson asistencën që komuna mund t`i jep investitorëve nga jashtë?

ARIFI: Kjo pra na jep mundësi që të kontribuojmë drejtpërdrejtë në këtë drejtim dhe qëllimi im është që mundësitë tona t`i shfrytëzojmë maksimalisht për të tërhequr sa më shumë investime dhe në këtë drejtim tashmë ne jemi duke përgatitur një program të investimeve dhe këtë program do të promovojmë kudo që mundemi .

KOHA: Këshilli i Tetovës realisht është akoma jofunksional për shkak të kombinatorikave politike mes subjekteve partiake, respektivisht të negociatave mes BDI-së dhe VMRO-së për koalicion të mundshëm dhe ndarjes së posteve. Si pritet të zgjidhjet ky problem politik?
ARIFI: Çështjet politike janë çështje për të cilat ka nevojë për bisedime, kuptohet edhe në rastin e formimit të Këshillit aktualisht po bisedohet, posaçërisht duke marrë parasysh se është çështje e disa partive politike. Pra, ne jemi në bisedime e sipër dhe nuk kemi arritur akoma një marrëveshje. Si duket për këtë do të duhet të bisedohet më gjatë dhe shpresoj se secila palë biseduese të ketë parasysh sensin e realiteti objektiv në aspektin e kërkesave politike që i shtrojë.

KOHA: Nëse nuk ka marrëveshje a mund të ketë zgjedhje të parakohshme për Këshillin?

ARIFI: Dua ta qartësoj se Këshilli i Tetovës dhe kjo vlen edhe për Strugën, nuk është rreziku i zgjedhjeve të parakohshme për Këshillin dhe kjo do të mund të ndodhte po që se nuk do të arrinim që t`i verifikojmë mandatet,gjë që në këtë rast ne tashmë i kemi verifikuar këto mandate. Gjëja e vetme që mungon këtu është marrëveshja politike për shumicën, e cila do ta drejton Këshillin.

KOHA: Por, Këshilli është i bllokuar dhe nuk funksionon?

ARIFI: Po, nuk funksionon sepse nuk ka drejtues, por ka edhe variante ku mund ai të vetmblidhet edhe pa kryesues, por ne nuk kemi pasur nevojë që ta thërrasim atë pa kryesues, pra nuk ka pasur ndonjë temë që ka qenë shumë urgjente që ta thërrasim Këshillin pa kryesues.

KOHA: Problemi me furnizimin me ujë të komunës si dhe problemi i grumbullimit të plehrave, krahas atij të rrugëve të shkatërruara, ka qenë një çështje e cila i ka preokupuar tetovarët me vite. Si planifikoni t`i zgjidhni këto probleme që janë sa jetike aq edhe urgjente për tetovarët?
ARIFI: Duhet të përfundohet një trase prej përafërsisht nëntë kilometrave që kalon në një zonë malore. Me ndërtimin e saj problemi i ujit në Tetovë do të zgjidhej për një kohë më të gjatë. Mirëpo, këtë projekt mendoj ta bëj përmes një procesi shumë transparent, sepse për fat të keq kjo çështje vuan si pasojë e jotransparencës të procesit në përgjithësi. Plani është që brenda mandatit tim kjo çështje të zgjidhet. Lidhur me këtë, në moment të fundit arritëm ta shpëtojmë pjesëmarrjen e komunës në një projekt të bankës gjermane për vendosjen e ujëmatësve digjital, që do të mundësojë një ndryshim pozitiv të sistemit të brendshëm të shpërndarjes së ujit në qytet. Në këtë drejtim, është shumë e rëndësishme që ta rrisim edhe nivelin e pagesës së ujit të konsumuar nga qytetarët, por edhe të plehrave. Këto dy çështje, pra ajo e ujit dhe me rregullimin e një deponie të standardizuar të plehrave janë prioritetet e mandatit tim, respektivisht janë çështje që do të gjejnë zgjidhje brenda mandatit tim.

KOHA: Zgjidhja e problemit të emrit dhe vet procesi eurointegrativ i vendit është një pyetje e patejkalueshme kur bisedohet me Teuta Arifin. Kohë më parë, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti qëndroi në SHBA, ku mes tjerash në takimet e nivelit të lartë në Uashington dhe Njy Jork këto dy tema ishin të pjesë e diskutimeve. A është duke e marrë BDI-ja iniciativën për zgjidhjen e këtij problemi, aq më shumë kur nga partneri i juaj i koalicionit nuk shihet asnjë iniciativë?

ARIFI: Mendoj se qasjen që e kemi është një qasje e mençur dhe racionale. Pas zgjedhjeve lokale që treguan një mbështetje shumë të madhe për partinë maqedonase në pushtet, por edhe një mbështetje të madhe edhe për ne si parti,flasin për një ambient politik ku nuk duhet të ketë hezitim për t`u përballur me çështje të mëdha dhe serioze që i mbajnë peng proceset madhore euroatlantike dhe jo vetëm neve si shqiptar, por të gjithë qytetarët e vendit. Unë, por edhe ne si parti, mendojmë se tani është moment më i mirë që të bëhen hapat e guximshëm dhe të sillemi në mënyrë racionale dhe ta zgjidhim problemin me emrin. Unë jam shumë e vetëdijshme se ky problem nuk varet vetëm nga Shkupi zyrtar, por edhe nga Athina zyrtare, mirëpo duke pasur parasysh faktin se për ne ky problem është jetik, mendoj se ne jemi ata që duhet të tregojmë iniciativë për ta zgjidhur dhe tejkaluar problemin si dhe për të qenë më kooperativ në zgjidhjen e këtij problemi.

Emri të zgjidhet tani

Duke pasur parasysh zhvillimet e dhjetorit dhe elementet e kriticizmit për çështjet e brendshme, mendoj se varet shumë nga zgjidhja që mund të bëhet për çështjen e emrit. Pra,nëse gjendjet zgjidhje aty, pra nëse bëhen hapa konstruktiv, atëherë mendoj se raporti do të jetë më pozitiv. Mirëpo, në qoftë se nuk lëvizim në atë drejtim, atëherë raporti madje mund të jetë edhe më kritik, sepse ne jemi në një situatë ku për dallim nga koha kur e kishim dialogun paraqasës ku edhe u bënë hapa mjaft progresive të brendshme, tani kemi një ngadalësim të proceseve të brendshme, pra një komision parlamentar për ngjarjet e dhjetorit po zvarritet me muaj të tërë, gjë që unë mendoj se çështja nuk do të duhet të ishte edhe aq problematike për formimin e tij. Për këtë arsye nëse ne si vend me të vërtetë dëshirojmë një raport pozitiv, atëherë është çështje e emrit aty ku duhet të lëvizet, pra në këtë rast në këto rrethana dhe në këtë qershor. Në këtë drejtim qëndrimet e mija si zëvendëskryeministre e ngarkuar për çështjen e evrointegrimeve, ka qenë gjithmonë në drejtim të lëvizjes së procesit në mënyrë maksimale dhe mendoj se është e gabueshme çdo qasje e cila mendon se mund të ketë alternativa tjera përveç integrimeve euroatlantike.

KOHA Në Tetovë pas zgjedhjeve kemi ndërrim pushtetesh, nga PDSH-ja tek BDI-ja. Si do të veproni në aspektin kadrovik duke marrë parasysh se një pjesë e të punësuarve apo se paku ato që janë në pozita më seniore i takojnë partisë që ishte në pushtet?

ARIFI: Kam thënë dhe do ta them gjithmonë qartë se qasja ime nuk është revanshiste. Këtë pushtet nuk e trajtoj si pushtet për të bërë diferencime ideo-politike, aq më pak me administratën e cila duhet, para se gjithash të jetë një administratë profesionale. Është e qartë se në pozitat më të larta drejtuese të administratës do të kërkoj që të punoj me njerëz të cilët do ta përcjellin këtë filozofi të punës që e kam unë, pra një qasje antikorrupsion dhe një filozofi e punës intensive apo siç jam shprehur gjatë fushatës një punë hallall. Kush nuk është për këtë filozofi kuptohet nuk mund të jetë bashkëpunëtor imi i afërt, ndërkohë sa i përket administratës ajo do të vlerësohet vetëm në bazë të kriterit të performancës të punës së bërë e që kërkohet nga përshkrimi i detyrave të tyre dhe në asnjë bazë tjetër. Megjithatë, mendoj se administrata e komunës së Tetovës ka nevojë për trajnime shtesë dhe riorganizim të brendshëm meqë për momentin si numër është e rritur dhe e ngarkuar nëpër zyret e komunës. Pra, gjatë këtij viti rregullimi dhe rritja e efikasitetit të punës së administratës, do të jetë gjithashtu njëri nga prioritetet. Me një fjalë, nga administratorët do të kërkohet punë dhe kjo është e vetmja qasje. /albeu.com/
Shtuar më 26/05/2013, ora 18:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori