Tetovarët protestojnë kundër hapjes së kazinos përballë UT
Qytetarët e Tetovës kanë protestuar përgjatë rrugëve të qytetit, kundër kazinove dhe bastoreve sportive. Shqetësues për ta është fakti se, gati në çdo 45 metra ka nga një bastore apo kazino.

Shkak i kësaj proteste ka qenë hapja e një kazinoje përballë UT-së. Protestuesit kanë kërkuar që, kazinot jo vetëm të hiqen nga sytë e nxënësve apo studentëve, por të dislokohen, së paku, 3 kilometra jashtë qytetit.

"Drejt Ministrive përkatëse Ministrisë së Financave, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së punëve të brendshme Drejtorisë së të hyrave publike dhe komunës së Tetovës. Të anulojnë punën për hapjen e kësaj kazinoje, nën dy të hartojnë një ligj që gjitha kazinot, bastoret sportive dhe lojërat tjera të fatit të largohen së paku 3 kilometra nga shtëpia e fundit e çdo vendbanimi" – deklaroi Xhemal Abdiu, nga këshilli organizativ.

Në bazë të një hulumtimi të SCOOP, tregohet se kazinotë e njohura austriake Novomatik AG dhe ato Princez Grupi nga Turqia, janë gjithnjë e më shumë prezente nëpër të gjitha qytetet e Maqedonisë. Vetëm nga viti 2009 e deri më sot, nga Ministria e Financave rezulton të jenë licencuar, afërsisht 20 firma për lojëra të fatit, me rreth 70 sallone për organizimin e lojëra të pokerit. Në Tetovë dhe rrethinë rezultojnë rreth 50 kazino, dhe rreth 150 bastore sportive, kurse dyshohet se pjesa dërmuese aktivitetet e lojërave të fatit i zhvillojnë në të zezë. /albeu.com/
Shtuar më 04/05/2018, ora 17:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori