Tërhiqet Rusia, pranon Maqedoninë e Veriut me emrin e ri
Rusia do të përdorë emrin e ri zyrtar të Maqedonisë së Veriut në korrespondencat e ardhshme me shtetin ballkanik. Vendimi pason një periudhë me dyshime dhe akuza që Rusia ka shprehur rreth paktit të Prespës të arritur mes Shkupit dhe Athinës, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve 27-vjeçare mes dy vendeve.

Ministria e Jashtme ruse ka njoftuar se do e njohë Republikën e Maqedonisë së Veriut me emrin e saj të ri zyrtar dhe kushtetues. Diplomatët e Moskës informuan se njoftimin për ndryshimin e emrit e morën nëpërmjet ambasadës ruse nga Shkupi në datën 19 shkurt, dhe u vendos që vendi në korrespondencat e ardhshme zyrtare të referohet me emërtimin e ri.

Ndryshimi në qëndrim vjen vetëm pak muaj pasi Moska shprehu rezerva për Marrëveshjen e Prespës të arritur qershorin e kaluar mes Shkupit dhe Athinës.

Në muajin tetor, Rusia hodhi dyshime edhe për referendumin që Maqedonia mbajti në lidhje me marrëveshjen e shumëpritur, duke e komentuar pjesëmarrjen e ulët të popullsisë një formë bojkoti, madje duke i akuzuar politikanët e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian për ndërhyrje në politikën e brendshmë të shtetit ballkanik./albeu.com/
Shtuar më 19/03/2019, ora 17:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori