Tensionet nuk krijojnë konflikt të ri
Azem Vllasi
Zhvillimet e fundit në Serbi dhe Maqedoni, e që ndërlidhen edhe me Kosovën, nuk kanë potencial për të ndezur ndonjë konflikt të ri në Ballkanin Perëndimor pasi asnjëra nga palët nuk është gatshme për një gjë të tillë.

Kështu ka vlerësuar të dielën analisti politik, Azem Vllasi duke theksuar se bashkësia ndërkombëtare, e cila është e pranishme në këtë pjesë, nuk do të lejojë këtë, shkruan Express.

“Tensione mund të krijohen, por konflikt i ri jo, ngase për konflikt të ri para së gjithash askush nuk është i gatshëm, as Kosova, as Serbia, as Maqedonia. Dhe konflikt të ri të armatosur s’do të lejojë as komuniteti ndërkombëtar, i cili këtu është fuqishëm i pranishëm”, është shprehur ai.

Vllasi është i bindur se me arrestimet e fundit të shqiptarëve, autoritetet e Beogradit dhe të Shkupit po zhvillojnë një luftë psikologjike kundër shqiptarëve.

“Maqedonia dhe Serbia kanë një aleancë të mirë që të zhvillojnë luftë psikologjike, e shqiptarët t’i shënjojnë si element turbullues”, ka thënë Vllasi për Express të shtunën.

Duke folur për arrestimet e fundit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Vllasi thotë se aksione të tilla nuk ndërlidhen shumë me zgjedhjet në Serbi. /albeu.com/
Shtuar më 06/05/2012, ora 13:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori