Tensione në degën e LR-PDSH-së në Çair, sërish probleme me listën e kandidatëve?
Dega e Çairit e LR-PDSH-së nuk po gjen sërish qetësi.

Partia në këtë degë është përfshirë në tensione pasi një nga mbështetësit kryesorë, Abdulla Abdullahu ka shpërthyer në kërcënime, raporton Flaka.

Shkak për kërcënimin është bërë kërkesa e tij që në Njësinë Zgjedhore 2, partia të kandidojë bashkëshorten e tij Arlinda Abdullahu, që për pjesën më të madhe të Degës është e papranueshme.

Tensionet ndodhin dy ditë përpara se partia të vendosë përfundimisht për listat e deputetëve.

Vetë Abdullahu nuk është anëtar i Degës, por bashkëshortja e tij është emëruar anëtare e Kryesisë, fakt ky që e ka inkurajuar atë të lobojë dhe të kërkojë madje edhe me kërcënime kandidimin e saj për deputete.

Nga ana tjetër , një pjesë e anëtarëve të Kryesisë së Degës mësohet të jenë të gatshëm të japin dorëheqjen dhe të bojkotojnë aktivitetet partiake, nëse partia ndikohet nga kërcënimet dhe pranon kandidimin e zonjës në fjalë.

Sipas tyre, partia nuk mund të funksionojë me kërcënime, ndërsa listat e deputetëve duhet të burojnë nga vullneti i anëtarëve të Kryesisë dhe të Kuvendit, dhe jo të imponohen nga vullneti ose interesat personale të individëve.

Ndërkohë, kuvendi Qendror i LR-PDSH-së ku do të caktohen listat e deputetëve do të zhvillohet nesër në orën 14:00 në Gostivar. /albeu.com/

Shtuar më 05/11/2016, ora 18:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori