Ikja e vazhdueshme e mjekëve dhe nevoja për rikthimin e tyre në Shqipëri

Çdo vit afërsisht 130-150 mjekë largohen nga Shqipëria për të punuar apo për t’u specializuar jashtë.

“Është dekada më e vështirë për emigrimin e mjekëve. Vendet e tjera janë shumë herë më pak Gjermania kryeson”, deklarojnë nga urdhri i mjekut.

Në gjithë Evropë ka rreth 3 800 mjekë Shqiptarë mes tyre edhe të lindur jashtë vendit. Në Shqipëri aktualisht ka 110 mjekë për 100 mijë banorë, trefish më pak se mesatarja Evropiane.

Mjeku Adrian Fandi para 31 viteve me të mbaruar studimet u largua për të punuar në Itali e më tej në Angli.

“Sistemi shëndetësor në 91-shin ishte shkatërruar plotësisht. Ideja ime është që ato që kam mësuar në Itali dhe Angli t’i sjell në vendin tim për sistemin e urgjencës në Shqipëri”, tha Fandi.

Mjekët që prej vitesh kanë punuar jashtë Shqipërisë tashmë duan të rikthehen për shkëmbim eksperiencash.

“Këtë sukses që kemi arrit atje duam ta ndajmë me Shqipërinë. Të sjellim dijen nga ekspertët e vendeve evropiane për t’ia sjellë vendeve shqipfolëse.”

Përmes kësaj forme po synohet rritja e standardit të mjekësisë shqiptare, me qëllim rikthimin e mjekëve dhe plotësimin e nevojave në vend.