Taravari kopjon kryetarin e Gostivarit Bejta fjalë për fjalë
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve INA, kryetari i Komunës në Gostivar Nevzat Bejta ishte pyetur për arsyen e rikandidimit dhe planet e tij për Gostivarin. Bejta ishte shprehur se arsyeja pse rikandidonte ishte qyteti dhe qytetarët e Gostivarit.

“Kur vendosa të kandidoj për mandatin aktual, nuk hezitova aspak të jepja dorëheqje nga posti i ministrit që kisha. Për mua ishte çështje interesi të qytetarëve të Gostivarit,” shprehej Bejta në intervistë.

I pyetur çfarë mendonte për kandidatët kundërshtarë, ai shtonte se paraqitej “me platformën time dhe jo kundër të tjerëve.”

Gjithashtu Bejta u shpreh se do të ndërtonte Gostivarin e Nesërm “me ndihmën e qytetarëve të mrekullueshëm të Gostivarit të mrekullueshëm.”

Më pas, sa i përket planeve konkrete, Bejta foli për ekonominë.

“Në gjendjen në të cilën e gjetëm Gostivarin, na u desh të punonim shumë për të përmirësuar infrastrukturën, për ta bërë qytetin më të pëlqyeshëm për bizneset dhe ajo që presim janë investimet në ekonominë lokale. Gostivari i Nesërm ka në qendër ekonominë lokale dhe punësimin,” shprehej Bejta.

Ministri Taravari pasi ishte shprehur në fillim se kandidonte sepse ishte në të mirë të interesit të partisë, pas kritikave dhe intervistës së Bejtës, shprehet se “Në fakt unë Zgjedhjet në tërësi, por sidomos ato Lokale i shoh si çështje vizioni i të ardhmes.”

Taravari nuk ka ngurruar të kopjojë edhe pjesë të tjera nga intervista.

“…dua të përqëndrohem në pse duhet të zgjedhin Ekipin tonë, dhe jo pse nuk duhet të zgjedhin këdo tjetër,” thotë ai, pasi Bejta ishte shprehur se garonte me platformën e tij dhe jo kundër të tjerëve.

Taravari gjithashtu për herë të parë pas intervistës ka përdorur shprehjne “Gostivari ka njerëz të mrekullueshëm.”

Sikur të mos mjaftonte, pas intervistës së Bejtës, ai trajton për herë të parë si çështje kryesore ekonominë dhe punësimin.

“Thithja e investitorëve të huaj, nxitja e ekonomisë, e agrikulturës, e biznesit në tërësi do të jetë një Strategji që do krijojë vende pune,” thotë Taravari në fjalët e tij, krejtësisht të njëjta me ato të intervistës së Bejtës.

Shtuar më 22/09/2017, ora 17:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori