Taravari i përgjigjet VMRO-së: Askush nuk mund të më zmbrapsë nga misioni im!
Pas deklaratës së VMRO-DPMNE-së e cila i kërkonte ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, të ecte me këmbë në tokë, ka reaguar edhe ky i fundit.

Ministri Taravari i është përgjigjur VMRO-së duke i thënë se askush nuk do të ndikojë që ai të zmbrapset nga misioni i tij qoftë si mjek, por qoftë edhe si ministër i shëndetësisë.

“Në çastin kur po hy në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit. Ndaj mësuesve do ta ruaj mirënjohjen dhe respektin e duhur.

Profesionin tim do ta ushtroj me ndërgjegje e me dinjitet. Shëndeti i pacientit tim do të jetë brenga ime më e madhe. Do t’i respektoj e do t’i ruaj fshehtësitë e atij që do të më rrëfehet. Do ta ruaj me të gjitha forcat e mia nderin e traditës fisnike të profesionit të mjekësisë. Kolegët e mi do t’i konsideroj si vëllezër të mi. Në ushtrimin e profesionit ndaj të sëmurit tek unë nuk do të ndikojë përkatësia e besimit, e nacionalitetit, e racës, e politikës, apo përkatësia klasore. Që nga fillimi do ta ruaj jetën e njeriut në mënyrë apsolute. As në kushtet e kërcënimit nuk do të lejoj të keqpërdoren njohuritë e mia mjekësore që do të ishin në kundërshtim me ligjet e humanitetit. Këtë premtim po e jap në mënyrë solemne e të lirë, duke u mbështetur në nderin tim personal.

Ky është betimi i Hipokratit ndaj të cilit kam dhënë fjalën time. Betim ndaj të cilit çdo mjek duhet të funksionojë. Ministria që drejtoj është në fillimet e detyrave të saj të reja dhe në vazhdim të atyre të mëparshme. Jemi të angazhuar në përmbushjen e tyre.”, thuhet në kundërpërgjigjen e ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari. /albeu.com/
Shtuar më 03/06/2017, ora 17:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori