"Tanku", Gruevski shkon në burg në nëntor
Ish kryeministri Nikolla Gruevski mori akt-vendimin për vuajtjen e dënimit me burg prej 2 vjetësh për rastin Tanku.

Gruevski sot shfrytëzoi daljen e pasme të gjykatës me qëllim për t’i shmangur gazetarët.

Ndërkaq të mërkurën avokatët e ish-kryeministrit kërkuan rishqyrtim të jashtëzakonshëm të gjykimit për rastin Tank-u dhe shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg.

Edhe Gruevski dy ditë më parë tha se do t’i përdorë të gjitha mundësitë ligjore për ta shtyrë vuajtjen e dënimit.

Do t’i shfrytëzoj të gjitha mundësitë ligjore që janë në dispozicion dhe që të mi këshillojnë avokatët. Edhe pse jam i vetëdijshëm që jetojmë në një kohë anormale, ku normalja është jonormale ndërsa jonormalja është bërë normale- kishte thënë më herët Nikolla Gruevski.

Gruevski në afat prej tre ditëve ka të drejtë të ankimojë vuajtjen e dënimit me burg.

Nëse gjykata e refuzon kërkesën e tij, ish kryeministri ka të drejtë ankese deri në Këshillin penal. Nëse tre gjykatësit e Këshillit e refuzojnë kërkesën, Gruevski patjetër duhet të paraqitet në burg.

Për ta shtyrë fillimin e vuajtjes së dënimit, ish kryeministri duhet të tregojë arsye të forta. Nikolla Gruevski është i dënuar me 2 vjet burg për “marrje të shpërblimit dhe ndikimit kundër- ligjor” gjatë furnizimit të Mercedesit të blinduar luksoz prej mbi gjysmë milionë euro.

Përveç Gruevskit, me vendim të plotfuqishëm me katër vite e gjysmë është dënuar edhe ish ndihmës-ministri në Ministrinë e brendshme, Gjoko Popovski për abuzim të pozitës zyrtare. Ndërsa ish ministrja e brendshme, Gordana Jankulloska u dënua me gjashtë vite burg. /alsat/m/
Shtuar më 26/10/2018, ora 16:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori