Takimi Thaçi – Moore për zhvillimet e fundit në Maqedoni
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi në Ambasadën e SHBA-së në Shkup realizoi takim me drejtorin e zyrës së Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për Europën, Jonathan Moore.

Në takim është biseduar për procesin integrues të vendit si dhe tema të tjera me interes të dyanshëm. Dy bashkëbiseduesit u dakorduan që integrimi në NATO dhe BE është “imuniteti i vetëm” që mbron Maqedoninë.

“Isha në takim me Jonatan Moore, drejtorin e DASH për Evropën. Shpreha qëndrimin se qeveria shkon me të gjitha mjetet, me të gjitha mundësitë që të eliminojë çdo komunë që mund ta fitojë ose që e ka fituar opozita. Kjo prej në qiell duket se është uverturë, apo hapje e dyerve për një diktaturë të re”, deklaroi Thaçi pas takimit.

Në pyetjen e gazetarëve se si e komenton polemikën e fundit në mes të kryeministrit të vendit dhe liderit të BDI-së, ai u shpreh se nuk ka përplasje, por sipas tij, është mimikëri politike, njofton INA.

“Ali Ahmeti flet në vetën e tretë, sikur nuk është drejtpërdrejtë përgjegjës për bllokimin e procesit integrues të vendit. Që prej vitit 2008, para 5 viteve, ai garantoi se do ta çojë shtetin drejt NATO-s dhe Unionit Evropian. Kjo mimikri politike është artificiale, e çuditshme, bashkëpunimi i tyre më së miri u vërejt në Tetovë, ku VMRO i dha 5 mijë vota BDI-së. Është tentim për mashtrim të opinionit, nuk ka seriozitet dhe qartësi”, theksoi kreu i PDSH-së. /albeu.com/
Shtuar më 19/04/2013, ora 19:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori