Takimi në Ohër, Mitrovica në fokus
Çështja e Mitrovicës dhe raportet Kosovë-Serbi ishin njëra nga temat kryesore në konferencën e sotme ndërkombëtare në Ohër, ku po marrin pjesë Ministrat e Punëve të Brendshme të rajonit.

Për dallim nga samitet dhe konferencat tjera rajonale, në Forumin e sotëm ministror, në tryezë të njëjtë janë ulur ministrat e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe të Serbisë, Bajram Rexhepi dhe Ivica Daçiq

Ndërkaq, ministri Rexhepi ka folur për situatën e fundit në veri, ku Serbët me barrikadat e tyre kanë bllokuar lëvizjen e lirë të personave dhe mallrave.

“Unë do të jem pak cinik gjatë komentimit të asaj çështjeje. Me barikadat e tilla bllokohet jeta normale e qytetarëve të zakonshëm të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës. Me këtë rast, do të përsëris se me ato barrikada bllokohet vetëm mendja e atyre që janë përgjegjës për vendosjen e tyre, e ato janë grupet lokale kriminale dhe disa politikanë radikalë. Është paradoksale që rajoni ndërmjet Serbisë dhe Kosovës afër Jarinjës të bllokohet tërësisht, ndërsa kjo është pengesë për lëvizje të lirë të qytetarëve, para së gjithash të popullatës serbe. Neve si institucion, gjendja e tillë na pengon më pak, është paradoksale ajo që me aktivitete të tilla më së shumti dëmtohen vetë ata të cilët janë përgjegjës për barrikadat, e në dëm të popullatës lokale", tha Rexhepi.

Me këtë rast ai shtoi se policia e Kosovës së bashku me KFOR-in dhe EULEKS-in, ka për obligim ta garantojë sigurinë e të gjithë banorëve dhe të mundësojë lëvizje të lirë të popullatës.

Sipas agjendës, sot është biseduar për tema nga sfera e punëve të brendshme.

Janë mbajtur sesione kushtuar liberalizimit të vizave, çështjeve migruese, menaxhimit të kufijve dhe avancimit të bashkëpunimit me FRONTEX-in, luftës kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimit me EUROPOL-in, si dhe luftës kundër korrupsionit.

Dita e nesërme do t'u dedikohet temave nga sfera e drejtësisë siç janë pavarësimi i gjyqësisë dhe prokurorisë, bashkëpunimi juridik në konteste penale dhe qytetare, si dhe avancimi i bashkëpunimit me EUROJUST-in.

Forumi do të përfundojë me prezantimin e prioriteteve në sferën e punëve të brendshme dhe të drejtësisë gjatë presidencës së ardhme daneze dhe qipriote me BE-në. (INA)

Shtuar më 03/10/2011, ora 18:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori