Tahiri: Këshill mbarëkombëtar për të mbrojtur vlerat shpirtërore
Gjatë një interviste për Radio Shkupin, Sekretari i Përgjithshëm i BFI-së ef. Afrim Tahiri, veç të tjerash, ka folur edhe për rëndësinë e formimit të një këshilli mbarëkombëtar me përfaqësues fetarë nga trojet shqiptare dhe ekspertë të sferave të ndryshme, i cili do të merrej me shqyrtimin e problemeve me të cilat ballafaqohet shoqëria jonë në ditët e sotme.

"Është koha për t’u formuar një këshill gjithëkombëtar nën patronazh të Kryeministrit ose Kryetarit të Shqipërisë. Këshilli do të përfshinte ekspertë të sferave të ndryshme, autoritete qeveritare me relevancë dhe përfaqësues të bashkësive islame të Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës si dhe përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare. Qëllimi është për të krijuar strategjinë e përbashkët për mbrojtjen e vlerave tona të larta shpirtërore, kombëtare dhe fetare, siç është për shembull harmonia ndër-fetare në botën shqiptare. Gjithashtu, ky këshill do të ndikonte pozitivisht edhe në mbrojtjen e vetë institucioneve fetare nga tendencat e ndryshme që po imponohen në emër të feve apo të religjioneve. Me këtë padyshim se do të kontribuohej në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botën shqiptare, në rajon dhe më gjërë. Kombi shqiptar gjendet para një sfide tepër të rëndë dhe për tejkalimin e saj është nevojë imediate formimi i këtij Këshilli gjithëkombëtar. Nuk guxojmë të vonohemi! Përderisa forca të ndryshme po grupohen dhe po punojnë kundër vlerave tona shumë të shtrenjta, atëherë edhe ne sa më shpejtë duhet të dalim me një trupë ekspertësh dhe kompetentësh të prirur nga kreu më i lartë i Shtetit Shqiptar", është shprehur sekretari i përgjithshëm i BFI-së.

Tahiri është shpehur se BFI në Maqedoni ka formuluar një projekt për parandalimin e radikalizmit dhe përfshirjes në terrorizëm "Stop RadTerr", i cili i është dorëzuar tashmë kryeministrit të vendit, komunave, ambasadave si dhe shoqatave të ndryshme ndërkombëtare në vend.

"Përmes Projektit 'STOP RadTerr' kërkojmë bashkëpunimin e institucioneve me relevancë për të punuar bashkërisht në parandalimin e radikalizmit dhe përfshirjes në terrorizëm. BFI e RM në këtë drejtim ka pasur një sërë aktivitetesh dhe do të vazhdojë të shtrijë aktivitetet e saja gjithandej", vijoi Tahiri.


"Projekti "Stop RadTerr" i hartuar nga ana e BFI-së ka për qëllim ndalimin e rekrutimit të mëtejshëm dhe të manipulimit të të rinjve tanë në emër të Islamit. Projekti buron dhe mbështetet në Kur'an si dhe në praktikën jetësore të profetit, Muhamedit a.s.", ka thënë sekretari i përgjithshëm i BFI-së ef. Afrim Tahiri. /albeu.com/
Shtuar më 17/01/2015, ora 10:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori