Nis ndërtimi i parkut fotovoltanik, Rama: Më i madhi në rajon, këtu mbaron tensioni i Braçes

Kryeministri Edi Rama në një konference ka folur në lidhje me nisjen e punës për ndërtimin e parkut më të madh fotovoltanik në rajon, me kapacitet 140 MGë në një sipërfaqe 198 hektarë.

Rama u shpreh se në bashkëpunim me liderin botëror në sektorin elektroenergjetik, kompaninë franceze Voltalia, ky është një tjetër hap i rëndësishëm drejt pavarësisë energjitike të Shqipërisë.

“Pas një pune të gjatë parapërgatitore për të hyrë në fazën përfundimtare që është e ndërtimit të parkut më të madh me energji diellore në rajonin e Ballkanit dhe më vjen shumë mirë që për rastësi, dje kam qenë së bashku me presidentin e Francës në Madrid dhe kemi folur për angazhimin e Voltalias në Shqipëri, edhe për vijimin e investimeve me parkun tjetër në zonën e Spitallës, i cili është në fazën përgatitore. Më vjen mirë që këtu mbaron gjithë tensioni i Erion Braçes për realizimin e kësaj vepre dhe hyjmë në fazën e marrjes frymë të lehtësuar. Erioni meriton të gjithë respektin dhe falenderimet për këmbënguljen dhe për ndihmën që ka dhënë me autoritetet vendore për ta lehtësuar këtë proces”, tha Rama.

 

 


Shtuar 1.07.2022 11:15