Strugë, koalicioni midis LSDM-së dhe BDI-së në fije të perit
LSDM-ja dhe Aleanca për Shqiptarët thonë se nuk do të mbështesin projekte që do të çonin në një kaos ndërtimor në bregun e Strugës. LSDM-ja madje nuk përjashton mundësinë e prishjes së koalicionit me Ramiz Merkon nëse gjërat nuk ndryshojnë menjëherë. Pikërisht me mbështetjen e LSDM-së, Ramiz Merko mori mandat si kryebashkiak në zgjedhjet lokale të dhjetorit.

"Koalicioni bazohet në interesa të përbashkëta që lidhen me interesat e të gjithë qytetarëve, jo me interesa personale. Nëse dikush nuk i përmbahet këtyre përcaktimeve, ai mund të ndërpritet. Nëse zgjedhja është mes koalicionit dhe kaosit ndërtimor nuk kemi dilema, interesi i qytetarëve është mbi të gjitha" – deklaroi Nikolina Velkovska, këshilltare e LSDM-së në Strugë, përcjell Alsat M.

Nga LSDM-ja thonë se kanë kërkuar informacion për zhvillimet në bregun e seksionit nga dalja e Strugës deri në Kalishtë, por nuk e kanë marrë.

Disa shoqata ekologjike sot përmes shkresave kërkuan nga Qeveria në afat jo më të gjatë se 30 ditë, të shpallë moratorium për të gjitha transformimet bregdetare dhe urbane në territorin e rajonit të Ohrit dhe t’i lëshojë konceptet e vjetra për zhvillim të cilët qartë treguan se po përfundojnë me shkatërrimin e pasurisë natyrore më të madhe kombëtare. /albeu.com/
Shtuar më 20/04/2018, ora 16:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori