Zjarrivënia në Seman çon në prangosjen e një 59-vjeçari! Procedohet edhe një grua, dogji ushqimin e bagëtive të fqinjit

Policia e Fierit ka arrestuar një tjetër person për zjarrvënie si dhe ka proceduar penalisht një grua për shkak se dogji ushqimin e bagëtive të fqinjit.

Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin Xhemil Vrenozi, 59 vjeç, banues në Hoxharë e Vjetër, Fier, pasi dyshohet se duke djegur barëra të thatë, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe është djegur një sipërfaqe me bimësi në vendin e quajtur “Grykëderdhja e lumit Seman”.

Gjithashtu, po nga këto struktura u procedua penalisht shtetasja J. M., banuese në Grykë, Fier, pasi duke djegur disa barëra të thatë, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe për pasojë ka dëmtuar pronën e tjetrit duke i djegur bazën ushqimore të blegtorisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore./albeu.com/

 


Shtuar 14.08.2021 09:51