Statusi i UÇK-së ende i pazgjidhur
Në Maqedoni nuk është zgjidhur akoma statusi i familjeve të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së. Ky problem qëndron i pazgjidhur prej 12 vitesh që nga konflikti i vitit 2001.

Shoqatat e Veteranëve kanë ngritur zërin për të kërkuar zgjidhje të problemit, i cili është përdorur për synime politike dhe elektorale nga parti të ndryshme. Kështu BDI nuk e ka përdorur këtë problem si kartë në fushata elektorale kohët e fundit, ndërsa VMRO-DPMNE bëri kërkesë për plotësimin e ligjit për pjesëtarët e forcave maqedonase
të sigurisë pjesëmarrëse në konfliktin e vitit 2001 – branitellat dhe rregullimi i statusit të tyre përmes beneficioneve dhe kushteve speciale, nxiti kërkesën që në një pako të gjendet zgjidhje edhe për statusin e UÇK-së, shkruan INA.

Mirëpo, kjo çështje akoma ka ngecur në sirtaret e Parlamentit të Maqedonisë, ku komisionet parlamentare kanë ngecur në debatet për të diskutuar mbi projekt – ligjin e VMRO-DPMNE për statusin special për ‘branitellat’ maqedonas.

Por, shoqatat e veteranëve kanë vazhduar me ngritjen e zërit për këtë çështje, mirëpo kërkesat e tilla vazhdojnë vetëm të përsëriten, duke mos gjetur përkrahjen nga spektri politik. Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Fazli Veliu edhe sot ka shprehur kërkesën për të zgjidhur statusin e UÇK-së.

“Familjet e dëshmorëve kohëve të fundit janë duke kërkuar statusin e tyre real si familje dëshmorësh që kanë rënë për atdheun dhe jo të kombinuar me forma të tjera në mënyrë shumë etnike institucionalisht të përzier, kështu që jemi të mendimit që kështu vet në këto forma që i kemi si komuna shqiptare të plotësojmë këtë status të atyre që e meritojnë statusin e dëshmorëve të atdheut. Nëse këta tanët e qeverisë nuk e zgjidhin vetë dhe nuk japin nënshkrimet e tyre dhe jo të palës tjetër se pala tjetër vepron në mënyrën e saj e jona në tonën, atëherë ne do i detyrojmë ata që të japin nënshkrimet e tyre si shqiptarë për çështjen tonë”, theksoi Veliu, me rastin e homazheve pranë varrezave të dëshmorëve të UÇK-së.

Kërkesat e tilla janë përsëritur edhe nga shoqata dhe organizma të tjerë.

Shoqata e Veteranëve të Luftës “Kalaja” gjithashtu ka bërë thirrje për zgjidhjen e statusit për dëshmorët e lirisë dhe ndalimin e nëpërkëmbjes së veteranëve të UÇK-së mbi 12 vite nga përfundimi i konfliktit të vitit 2001. /albeu.com/
Shtuar më 06/05/2013, ora 10:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori