Stabiliteti politik ndihmon ekonominë e vendit
Pa stabilitet politik nuk mund të ketë klimë pozitive për investime sllovene në Maqedoni, porositi kryeministri slloven Miro Cerar.

Gjatë forumit të biznesit maqedonaso-slloven Cerar siguroi se do ta mbështesë Maqedoninë në rrugën saj drejt integrimit euroaltantik dhe ia kujtoi homologut të tij Zoran Zaev se marrëdhëniet e mira me fqinjët janë kyçe për zyrtarët e BE-së gjatë vlerësimit të ndonjë shteti që aspiron ti bashkohet familjes evropiane dhe kështu duhet kultivuar edhe më tej miqësinë me Slloveninë dhe shtetet e tjera anëtare të BE-së.

Miro Cerar, kryeministër i Sllovenisë

“Мë gëzon fakti që Maqedonia e zgjodhi rrugën euroatlantike. Pasi që ta zgjidhë problemin me emrin që besoj se është shumë afër zgjidhjes, do pasojë edhe rrugëtimi intensiv drejt integrimit.Unë besoj në ardhmërinë tuaj evropiane dhe Sllovenia do vazhdojë tu mbështesë. Duhet theksuar se stabiliteti politik ndikon edhe në klimën ekonomike. Evropa po ballafaqohet me krizë stabiliteti, ka sulme të shumta terroriste e të tjerë. Politika duhet të sigurojë stabilitet në mënyrë që biznesmenët të mund të punojnë”

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ia kujtoi homologut të tij slloven se Maqedonia dhe Sllovenia ndajnë të njëjtin vizion për stabilitet, zhvillim ekonomik dhe vlera evropiane dhe se Maqedonia mund të përfitojë shumë nga përvoja sllovene.

Zoran Zaev, kryeministër

“Edhe ne kemi filluar të investojmë në Slloveni dhe kjo është për të përshëndetur por kompanitë sllovene janë për vite të tëra tek ne. Dua ta dini se jeni të mirëseardhur në Maqedoni dhe dua ta ndjeni Maqedoninë si shtëpinë tuaj. Dua të ju bëj thirrje që të konkurroni në projektet e ardhshme në vlerë mbi 270 milion euro, individualisht ose në konzorciume, pasi ka projekte infrastrukturore për ndërtimin e rrugëve rajonale dhe lokale, infrastrukturën hekurudhore, por ju ftoj të merrni pjesë edhe në sektorin energjetik”

Kryetarët e Odave Ekonomike të Maqedonisë dhe Sllovenisë përshëndetën nivelin e shkëmbimit tregtar mes dy shteteteve që është arritur deri më tani, po synuan që deri në vitin 2020 Maqedonia dhe Sllovenia të kenë shkëmbim deri në gjysmë miliard dollarë dhe për këtë kërkuan zotimin e të dy kryeministrave për lehtësimin e barrierave byrokratike.

Sonja Shmuc, Oda Ekonomike Sllovene

“Sllovenia është shteti i parë që ka hapur ambasadë në Maqedoni. Ne kemi histori miqësie dhe bashkëpunimi. Deri tani shkëmbimi tregtar në vit ka arritur afro 300 miliard dollarë, por ne synojmë që ta rrisim deri në 500 miliard. Ne si shtet jemi investues të mëdhej në Maqedoni. Biznesmenët tanë vijnë tek ju dhe mbesin në treg. Shpresoj që herën e ardhshme kur të vijmë këtu, të shoh sa më shumë marrëveshje të lidhura”

Branko Azeski, Oda Ekonomike e Maqedonisë

“Gjithmonë kemi mësuar prej përvojave të tyre. Disa thonë se ata në disa raste ishin para nesh dhe përfituan prej neve, por në biznes kjo është normale, edhe ne përfituam prej tyre. Tani gjërat kanë filluar të ndryshojnë. Mjaftë më sllovenët bëjnë fabrika tek ne, të bëjmë edhe ne tek ata. Po krijohet klima që edhe kompanitë tona të dalin në Slloveni”

Kryeministri Zoran Zaev në fund të fjalimeve iu bëri thirrje biznesmenëve slloven që të vijnë dhe të investojnë në Maqedoni pasi ata mund të përfiftojnë nga standardi i ulët i Maqedonisë dhe të bëjnë fitim dhe ka shumë sektore në të cilat mund të hapin biznes, ndërsa në këmbim Maqedonia do të përfitojë me vende të reja të punës dhe rritjen e prodhimit vendor bruto.


Shtuar më 04/04/2018, ora 15:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori