Sot, votohen ndryshimet në qeverinë e Zaevit
Në seancën e thirur për sot, deputetët do të duhet të zgjedhin dy ministra dhe dy zëvendës ministra të rinj që vijnë nga Lëvizja Besa, PDSH dhe Partia Demokratike Turke.

Lëvizja Besa në ekzekutivin e ri do të drejtojë ministrinë e Kulturës ku ka nominuar Asaf Ademin, ndërsa Faton Selami nga kjo parti do të emërohët sekretar shtetëror në ministrinë e drejtësisë. Ish deputeti i PDSH-së, Bardhyl Dauti, pritet që në seancën e sotme të zgjidhet ministër pa resor i angazhuar për investime të huaja, ndërsa Sadik Beqiri, është nominuar për zëvendës ministër në ministrinë për transport dhe lidhje.

Në Qeverinë e re do të ketë ndryshime edhe mes partnerëve të deritanishëm, LSDM dhe BDI. Këto dy parti kanë bërë shkëmbime dikasteresh me atë që Renata Deskovska nga Ministria për Arsim dhe Shkencë do të zgjidhet në krye të ministrisë së drejtësisë, dikaster ky që deri më tani është udhëhequr nga kuadër i BDI-së.

Vendin e saj në arsim do ta zë zëvendës ministri i deritanishëm, Arbër Ademi, ndërsa vendi i tij do të ngelet edhe për një kohë i zbrazët pasi aty është planifikuar deputeti i LSDM-së, Petar Atanasov.

Ai detyrën e re do ta marrë pas formimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, të cilët më pas do të duhet të caktojnë deputetin që do të marrë ulësen e Atanasovit në Kuvend. BDI do të emërojë edhe zëvendës ministrin e shëndetësisë ku është nominuar Asim Musa.


Shtuar më 01/06/2018, ora 09:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori