Sot në Maqedoni, raportuesit e Parlamentit Evropian
Në Shkup sot do të qëndrojnë raportuesit e Parlamentit Evropian për Maqedoninë, Robert Hovit dhe Jorgos Shacimarkakis.

Ata janë pjesëmarrës në Komitetin e përzier parlamentar midis Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian, që do të takohet sot dhe nesër në Shkup.

Siç raporton agjencia e lajmeve INA, dy misionarët e Brukselit do të sjellin mesazhet e BE-së lidhur me Maqedoninë, të cilat janë shprehur edhe në Raportin e Progresit.

Në këtë drejtim evrodeputetët Shacimarkakis dhe Hovit do të kenë prezantimet e tyre, ndërsa janë paraparë edhe fjalime të zëvendëskryeministres për evrointegrime, Teuta Arifi, ministrit të jashtëm, Antonio Milloshoski si dhe ushtruesit të detyrës së shefit të delegacionit të BE-së në Maqedoni, Robert Lidli.

Në kuadër të takimit do të shqyrtohen shumë çështje lidhur me raportet e Maqedonisë me BE-në, si shënimi i 10 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, reformat në administratën publike, gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, lirinë e medias etj.

Pas takimit do të miratohen edhe konkluzat e përbashkëta. Evrodeputeti Shacimarkakis pritet të jetë në shënjestër të kritikave të mediave proqevertiare, pas një incidenti që ndodhi dy muaj më parë në Bruksel, kur gazetarë të mediave proqeveritare u larguan nga një konferencë për shkak të mosftesave për ta.

Pas këtij rasti, disa media kërkuan që evrodeputeti me origjinë greke Shacimarkakis të shpallet person i padëshiruar në Maqedoni.
Shtuar më 03/11/2011, ora 11:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori