Sorensen zotohet për Maqedoninë europiane
Peter Sorensen
Ambasadori evropian Piter Sorensen sot i dorëzoi letrat kredenciale presidentit Gjorgje Ivanov, duke nisur zyrtarisht misionin e tij diplomatik në Maqedoni.

Në fjalimin e tij në presidencë premtoi se personalisht do të investojë të gjitha përpjekjet e tij për realizimin e perspektivës evropiane të Maqedonisë.

“Do të investojë të gjitha përpjekjet dhe kapacitetet për ti ndihmuar vendit tuaj në përpjekjet për të realizuar perspektivën në Bashkimin Evropian. Gjithashtu të krijojmë edhe marrëdhënie sa më efikase me institucionet e BE-së”, theksoi Sorensen.

Sipas tij, përkrahja e gjerë e qytetarëve të Maqedonisë për integrimin e vendit në BE është një përparësi e madhe në procesin evrointegrues dhe se ky disponim do të bëjë punën e tij më të vlerësuar.

Presidenti Gjorgje Ivanov në fjalimin e tij theksoi se Maqedonia pret që me rastin e shënimit të 20 vjetorit të pavarësisë dhe 10 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, të nisë bisedimet për anëtarësim me BE-në.

“Për fat të keq, sjelljen e këtij vendimi po e bllokon një anëtare e BE-së, për shkak të problemit me emrin që ka. Unë dëshiroj që ju të dini se Republika e Maqedonisë është e përkushtuar në gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për emrin. Neve na duhet zhbllokimi i proceseve evrointegruese një orë e më parë. Por, për zgjidhjen duhet konstruktivitet edhe nga pala tjetër”, theksoi Ivanov. /albeu.com/

Shtuar më 04/03/2011, ora 13:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori