Sonte përfundon fushata zgjedhore në Maqedoni, ja premtimet e partive
Partitë në Maqedoni mbyllën sonte fushatën parazgjedhore me shumë çështje të hapura dhe shumë premtime afatgjate.

Për 20 ditë fushatë, partitë parlamentare prezantuan projekte megalomane dhe mirëqenie sociale për të gjithë qytetarët.

Por ekonomia nuk ishte theksi i vetëm që partitë e kishin prezantuar. U premtuan asistenca më të mëdha sociale dhe paga minimale më të larta.

Studentëve iu dhanë shumë premtime. Njësoj edhe bujqve, profesorëve, pensionistëve dhe gjithë kategorive të tjera me të drejtë vote.

Shumica nuk arritën të dalin nga retorika nacionaliste që zakonisht përcjell çdo fushatë. Por të gjithë kishin një gjë që përbashkët, do ta bëjnë Maqedoninë një vend më të mirë për të jetuar.

Fushata e VMRO-DPMNE-së ishte kryesisht nacionaliste, kundër dygjuhësisë, ridefinimit të shtetit, dhe me kërkesë për 63 deputet në mënyrë që kjo parti të formojë qeveri të qëndrueshme dhe të marrë vendime pa shantazhim nga shqiptarët.

Mirëpo pati edhe shumë premtime për subvencione bujqësore dhe investime të huaja direkte që do të hapnin mbi 70 mijë vende pune. Nikolla Gruevski fushatën e fokusoi edhe në arsyet për të mos e votuar LSDM-në.

Partia opozitare maqedonase LSDM ka zhvilluar fushatë kryesisht sociale me premtime për ndërprerjen e pagesës së taksës radiodifuzive, për rroga më të larta minimale, subvencione për biznese, dhe asistencë më të madhe sociale.

Kjo parti nuk hezitoi të zotohet edhe për zbardhjen e rasteve të ndjeshme që qytetarët dyshojnë se janë inskenime politike si “Monstra”, “Sopoti”, “Neshkovski”, “Kumanova” e të tjerë.

Edhe LSDM sikurse partia e Gruevskit, një pjesë të mirë të fushatës ua kushtoi arsyeve përse nuk duhet votuar VMRO-DPMNE-ja.

Partia shqiptare në pushtet BDI ka bërë fushatë kryesisht me atë çfarë ka arritur deri më tani dhe sakrificën si UÇK.

Kjo parti ka premtuar që shqiptarët do të jenë faktor vendimarrjeje në Maqedoni. BDI-ja hyri në këto zgjedhje me premtime për barazi ekonomike në të gjithë shtetin, dhe zbatimin e dygjuhësisë në të gjithë territorin.

Kjo parti ka premtuar edhe përmirësimin e infrastrukturës vendore por edhe asaj lidhëse me Shqipërinë dhe Kosovën. Fundin e fushatës, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ia ka kushtuar oponentëve nga Lëvizja Besa.

Koalicioni Rilindje me Besë zotimin kryesor e kishte ridefinimin e shtetit dhe rishikimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Besa dhe RDK-ja u premtuan qytetarëve që nëse vijnë në pushtet nuk do të lejojnë diskriminimin ekonomik të shqiptarëve, dhe do të kërkojnë rishqyrtimin e statusit juridik të tyre.

Premtuan se do të inicohen ndryshime kushtetuese që të garantojnë barazi të plotë të shqiptarëve dhe maqedonasve.

Rilindje me Besë është zotuar edhe për vazhdimin e Mandatit të Prokurorisë Speciale dhe për themelimin e Gjykatës Speciale, me çka do të rishqyrtoheshin edhe rastet e montuara politike si “Monstra”, “Sopoti”, “Kumanova”, “Brodeci” e të tjerë.

Aseti kryesor që ky koalicion thotë se do tu ndihmojë për të fituar më shumë deputet në këto zgjedhje janë kandidatët profesionist në fushat e tyre me një të kaluar të pastër.

Partia parlamentare me PDSH-në fokus të kësaj fushate e kishte po ashtu përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në aspektin juridik dhe ekonomik.

Menduh Thaçi premtoi faljen e borxheve të të gjithë shqiptarëve dhe nxjerrjen nga burgu të të gjithë atyre që padrejtësisht janë dënuar.

Thaçi tha se nëse partia e tij vjen në pushtet, do të riformatojë gjyqësorin me persona të pa korruptuar dhe politizuar dhe do të inicohet rigjykim për të gjithë rastet e montuara nga politika.

Thaçi kërkoi nga simpatizuesit e partisë së tij që ta ndëshkojnë BDI-në në zgjedhje.

Aleanca për Shqiptarët në tubimet e organizuara gjatë fushatës nëpër gjithë Maqedoninë, premtoi zyrtarizimin e gjuhës shqipe, mirëqenien për shqiptarët, dhe ndërprerjen e të gjitha proceseve të montuara politike. Kjo Aleancë u zotua edhe për regjistrimin e popullsisë.


Kryetari i LR-PDSH Zijadin Sela tha se administratorët publik maqedonas që ua kanë zënë vendin shqiptarëve do të largohen si tepricë teknologjike dhe në vendin e tyre do të punësohen shqiptarët.

Si përparësi Aleanca e sheh koalicionimin mes tre partive të ndryshme politike që thonë se do të punojë në interes të shqiptarëve.

Sonte në mesnatë përfundon fushata dhe fillon heshtja zgjedhore. /shenja/
Shtuar më 09/12/2016, ora 21:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori